Shqipëria

Në Tiranë mbërrijnë efektivë holandezë dhe italianë për finalen evropiane


Tifozët e Romës dhe Feyenord-it do të shoqërohen nga policitë respektive si italiane ashtu edhe holandeze.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm shqiptar, Bledi Çuçi gjatë një konference për shtyp.

Zyrtari gjendej në praninë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

“Kemi kohë që bashkëpunojmë si me Policinë e Romës ashtu edhe atë të Roterdam-it. Na janë bashkuar ekipe edhe nga Roma edhe nga Roterdam-i, të policisë së tyre”, deklaroi fillimisht Çuçi.

Sipas tij, kjo bëhet në mënyrë që të parandalohen incidentet e pakëndshme dhe për të koordinuar veprimet mes autoriteteve.

“Do marrim masa që të parandalojmë çdo akt dhune dhe çdo nxitje që situata të mos degradojë”, shtoi ministri i Brendshëm.

Zyrtari shqiptar u bëri thirrje bizneseve private të cilat nuk janë të përfshira me organizimin e ndeshjes (përjashto restorantet dhe baret) që të shmangin lëvizjet e mundshme.

Ai e konsideroi 24 majin si ditën kur fillon kremtimi i kësaj feste për vendin organizator.

Sa i takon qytetarëve, ministri theksoi sërish se hyrja dhe qarkullimi i automjeteve brenda kryeqytetit do jetë e bllokuar.

Kjo, gjatë ditës kur do të luhet finalja e Conference League (të mërkurën e 25 majit).

Në përmbyllje, Çuçi sqaroi se ata që do duan të dalin nga Tirana, do të kenë korridore të mundësuara daljeje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore