Kosova

Në takimin e Kartës së Adriatikut miratohet deklarata ku dënohet sulmi terrorist në Banjë


Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, e ka përfaqësuar Kosovën në kuadër të ministerialit të nismës rajonale ShBA-Karta e Adriatikut që është mbajtur në Shkup, e ku në fund u miratua një deklaratë e përbashkët ku është dënuar sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator.

“Në fund u miratua një deklaratë e përbashkët ku, në mes të tjerash dënon në termat më të fuqishëm sulmin terrorist në Banjë përderisa bën thirrje për zgjerimin e nismës me Kosovën si anëtare e plotë”, thuhet në një njoftim të MPJ-së.

Sipas njoftimit, në fjalimin e tij, ambasadori Qehaja nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj vlerave të përbashkëta që promovon kjo nismë e që ndërlidhen me prosperitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

“Nënvizoi progresin e shtetit të Kosovës për të ngritur kapacitetet e mbrojtjes duke përmendur shtimin e buxhetit në 2% të GDP sipas standardeve të NATO-s. FSK është gati për të arritur interoperabilitetin në mbrojtje në vazhdën e një ambienti kompleks të sigurisë”, thuhet tutje në njoftim.

Në Kartën e Adriatikut bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin një rëndësi te veçantë politike dhe strategjike kësaj nisme.

Ndërsa për sulmin terrorist më 24 shtator, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, derisa Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.

Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet.

Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallu ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore