Sport

Në Super Bowl LVII do të shkruhet historia


Ngjarja më e madhe sportive e vitit në SHBA, Super Bowl LVII, do të shohë përballë ekipet e Kansas City Chiefs dhe Philadelphia Eagles, por mbi të gjitha, do të shohë të shkruhet historia e sportit të futbollit amerikan.

Patrick Mahomes, quarterback-u i Chiefs-ave dhe Jalen Hurts, ai i Eagles-ave, do të jenë të parët afro-amerikanë, të cilët përfaqësojnë ekipet e tyre në këtë pozicion në fushë.

Pavarësisht se më parë ka pasur lojratë quarterback-ë me ngjyrë në Super Bowl, që të dy ekipet pjesëmarrëse ta kishin një të tillë titullar, kurrë nuk kishte ndodhur në histori.

Po ashtu, Mahomes do të kërkojë ta shkruajë edhe një herë tjetër historinë, pasi po kërkon të bëhet i pari quarterback afro-amerikan, i cili fiton më shumë se një Super Bowl në karrierë, pas fitores së arritur në vitin 2020, po me Chiefs-at.

Hurts nga ana tjetër, mund të bëhet i katërti në listën e fituesve të trofeve “Vince Lombardi”.

I pari quarterback me ngjyrë, fitues në ndeshjen e madhe, ka qenë Doug Williams, në vitin 1988. Suksesin e përsëriti Russell Wilson, me Seattle Seahawks, në vitin 2014 e më pas Mahomes në 2020-ën.

Vetë Hurts, do të bëhet edhe një ndër të paktët lojtarë, i cili luan si titullar në Super Bowl në moshën 24-vjeçare.

Sfida do të zhvillohet më 12 shkurt 2023 dhe natyrisht pritet që të jetë një spektakël më vete, duke qenë edhe se do të zhvillohet në Arizona, ku temperaturat pritet të jenë pranë ideales në këtë periudhë të vitit.

Megjithatë, përgatitjet kanë filluar që tani, si prej ekipeve, ashtu edhe sa i përket aspektit televiziv dhe spektaklit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore