Shqipëria

Në rënie të lirë, Euro vërtitet drejt 100 lekëve


Euro vjen dita ditës në rënie të lirë.

Të martën, sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro humbi për të dytën ditë radhazi pothuajse një pikë në kursin e këmbimit dhe u këmbye me 101.4 lekë, duke zbritur në një minimum të ri historik.

Zhvlerësimi i Euros me bazë vjetore ka arritur tashmë në 13.3%, ndërsa që nga fillimi i këtij viti kursi i këmbimit euro-lek ka rënë me 11.2%.

Rënia e fortë e Euros pritet të japë një ndikim negativ në bilancin e sektorit financiar, që në pjesën më të madhe mbahet në valutë të huaj.

Është e pritshme që rritja e sektorit bankar këtë vit të ngadalësohet ndjeshëm, për shkak të efektit të kursit të këmbimit.

Gjithashtu rënia po ndiqet me ritme të ngjashme edhe nga valutat e tjera kryesore.

Paundi Britanik u këmbye të martën me 118.05 lekë, duke prekur gjithashtu një minimum historik, për të dytën ditë radhazi. Paundi ka rënë me 14.3% me bazë vjetore dhe me 8.4% që nga fillimi i vitit.

Dollari Amerikan tashmë duket drejt rënies poshtë kuotës së 90 lekëve, në nivelin më të ulët që prej fundit të vitit 2008. Monedha e gjelbër u këmbye me 90.2 lekë, në rënie me 21.8% krahasuar me një vit më parë dhe me 15.7% që nga fillimi i vitit.

Franga zvicerane zbriti në vlerën e 105.02 lekëve, niveli më i ulët që prej vitit 2010. Franga është zhvlerësuar me 11.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9.6% që nga fillimi i vitit.

Faktori kryesor për luhatjen e valutave ndërkombëtare në Shqipëri, sipas aktorëve të tregut, lidhet me ofertën e lartë për valutë dhe kërkesën e dobët për të më së shumti.

Kjo varion edhe nga fillimi zyrtar i sezonit turistik dhe shtimi i përdorimit të euros gjerësisht në vend.

Ky trend, mendohet se do të jetë i tillë edhe gjatë muajit korrik dhe gusht, kur vendi do të shohë edhe pikun e pushuesve të huaj.

Mesatarisht, gjatë gjithë vitit, pavarësisht rënieve drastike, euro është luhatur në kuotat e 112 lekëve, kur mesatarja në vitin 2022 ishte prej 119 lekësh.

Megjithatë, nga Banka e Shqipërisë, është bërë e ditur për Albanian Post më parë se rënia e euros do të ketë pasoja domethënëse. Por, ato nuk janë alarmante.

Banka e Shqipërisë për Albanian Post: Rënia e euros ka pasoja, por jo alarmante

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore