Përballje

Në Prishtinë zhvillohet derbi, synon të përfitojë Llapi


Luhen edhe tri ndeshje tjera në kuadër të javës së 17-të të Superligës së Kosovës.

Ballkani dhe Gjilani arritën fitore të shtunën, duke i vënë nën presion ndjekësit e tyre.

Drita, Prishtina dhe Llapi zhvillojnë ndeshjet e tyre sot në tentativë që të mbajnë hapin mes tyre.

Dy të parat përballen në kryeqytet me njëra-tjetren.

Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtina do të jetë nikoçire e Dritës në derbin e javës së 17-të.

Kryeqytetasit ndodhen në vendin e pestë në tabelë me 24 pikë, kurse Drita në vendin e tretë me 28.

Fitorja, nëse jo për Dritën, për Prishtinën është detyrim, një rezultat negativ sot do ta largonte edhe më shumë nga gara për titull kampionin në fuqi.

Dy skuadrat vijnë përballë njëra-tjetrës në orën 13:30, për të mbyllur këtë javë.

Në anën tjetër, dy ndeshje zhvillohen në orën 13:00.

Llapi udhëton te Dukagjini i vendit të parafundit, në tentim për të përfituar maksimalisht nga dueli i Dritës dhe Prishtinës.

Kurse, Ulpiana pret Feronikelin e vendit të fundit me synimin që të largohet nga zona e ftohtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore