Shqipëria

Në një botë me liri globale në rënie, Shqipëria vijon të jetë stabël sipas Freedom House


Raporti më i fundit i organizatës jofitimprurëse “Freedom House”, e tregon lirinë globale në rënie të lirë për vitin e 17-ë radhazi, mirëpo në vetvete, Shqipëria i ka ruajtur pozitat e njëjta, ashtu sikundër vitin e shkuar, duke u radhitur ndër vendet pjesërisht të lira.

Me 67 nga 100 pikë në total, vendi e ruan identikisht pikavarazhin e vitit 2022, i cili e tregon atë si një vend që respekton pozitivisht lirinë fetare, apo atë të tubimeve.

Por, nga ana tjetër, kërkon edhe përmirësim, mbi të gjitha në fushën politike, për shkak të polarizimit të lartë të partive, apo korrupsionit dhe krimit të organizuar, aspekte të cilat mbeten ende probleme serioze për shqiptarët.

Gjithsesi, duke marrë parasysh se në raport një numër i madh vendesh tregojnë rënie në pikavarazh, qëndrueshmëria për Shqipërinë është aspekt pozitiv.

Ashtu sikundër edhe vitin e shkuar, aspekti mediatik gjithsesi mbetet shqetësues, pasi reflektohet një mjedis pjesërisht i pavarur medial, ku ofrohet njëfarë niveli vëzhgimi i kujdesshëm i punës së atyre që kanë poste publike.

Por, nga ana tjetër, shumica e pronarëve të medias, vëren raporti, i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike.

Mbetet ende për t’u parë paraqitja e plotë e tablosë së Shqipërisë, në bazë të raportit të Freedom House, por duke u bazuar në atë të vjetshmin, parë edhe faktin se po ashtu këtë vit radhitja është e njëjtë, disa gjëra janë të pritshme.

Në aspektin e qeverisjes vendore fjala bie, rrethanat shihen si demokratike, por seriozisht të pafinancuara dhe pakualifikuara për të ofruar shërbimet adekuate për qytetarët.

Gjyqësori gjithashtu, nënvizohet si një fushë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi, me pritshmëri në rritje për mirëfunksionimin e tij.

Teksa, në lidhje me korrupsionin, pritet të përkufizohet sërish se ai vijon të jetë i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore