Lajme

Në Mykolaiv, ku nga çezmat e shtëpive rrjedh ujë i kripur si pasojë e bombardimeve


“Nuk do ta kisha besuar kurrë se do të ishte e mundur”, thotë Katerina Vysotsskaya.

Dhe ajo thotë atë që mendojnë të gjithë në Mykolaiv.

A është e mundur që më shumë se 500 mijë njerëz të rezistojnë kaq gjatë pa pirë ujë?

A është e mundur që të mësohemi të shohim se vetëm ujë i kripur del nga çezmat?

Ja që po, është e mundur.

Kjo është pikërisht ajo që po ndodh. Që nga 6 maji i vitit të kaluar, për gati një vit e gjysmë, Mykolaiv ka qenë një qytet i kripur.

Unik në botë.

Sepse që nga ajo ditë maji, uji i kripur i marrë nga grykëderdhja e Bugut të Jugut është futur qëllimisht në tubacionet e ujit.

Një domosdoshmëri, e argumentuan në atë kohë përgjegjësit për shpërndarjen e ujit. Një vendim ekstrem për të shmangur epidemitë me avancimin e vapës së verës dhe për të lejuar njerëzit të bëjnë dush, të lajnë rrobat, enët…

Uji i kripur është më mirë se pa ujë .

Veç se kohëzgjatja e urgjencës nuk ishte e parashikueshme dhe tani kripa po tregon efektet, me korrozionin e tubave, aparatet e prishura, pompat dhe ngrohësit e ujit që nuk funksionojnë më.

Dëme të mëdha për qytetarët individualë, por edhe për infrastrukturën ujore.

Megjithatë, për momentin nuk ka asnjë zgjidhje nga pikëpamja e riparimeve, as nuk ka një alternativë të mundshme.

Uji është i kripur dhe do të mbetet i tillë derisa të riparohen çarjet në tubacionet dhe pompat e gropave të shkaktuara nga bombardimet në rajonin Kherson.

Aty nisi problemi vitin e kaluar.

Uji i pijshëm që mbërriti më parë në shtëpitë e Mykolaiv erdhi nga një vend i fshehtë 73 kilometra larg: nga lumi Dnipro, në rajonin Kherson, i cili përfundoi nën ofensivën ruse, pastaj pjesërisht i çliruar dhe më pas përsëri nën bomba.

Më 12 prill 2022, papritmas asnjë pikë ujë nuk arriti në qytet.

Autoritetet civile dhe ushtarake u përpoqën të kuptonin se ku ishte rrjedhja dhe shpejt zbuluan se nuk ishte gjë e vogël.

“Lloji i dëmit të shkaktuar nga shpërthimet konfirmon se i gjithë ishte i qëllimshëm. Madje në një vend gjetëm një kuti me lëndë shpërthyese”, tregon Boris Dudenko, menaxher i përgjithshëm i ndërmarrjes komunale të ujit.

Sakaq, ishte e mundur të gjurmohej dëmi dhe të bëheshin fotografi vetëm sepse kishte periudha në të cilat situata ishte më e menaxhueshme:

“Çdo ditë që mundëm ta bënim, vraponim për të punuar në riparime, por për të rifilluar minimumin e nevojshëm na duhen 6-8 muaj pune te vazhdueshme. Megjithatë, për të pasur infrastrukturën në mënyrën më të mirë, do të duheshin 2-3 vjet”.

Dhe kushedi sa në gjendje të keqe do të jenë gypat metalikë të trashëguar nga epoka sovjetike dhe tashmë të vjetra edhe para se kripa të banonte brenda tyre, deri në atë datë…

“Gjëja më e arsyeshme për të bërë, kur mund të bëhet, do të ishte ndryshimi i të gjitha tubave me tuba plastikë”, thotë Dudnyk Pavlo, inxhinier teknik.

“Por nëse do të ishte në dorën time të vendosja, do të bëja edhe diçka tjetër, dhe kjo është të diversifikoja pikat e tërheqjes së ujit: jo një, por disa lumenj dhe puse arteziane”, shton ai.

Çdo ditë qyteti kërkon dhe konsumon thuajse të gjithë 140 mijë metër kub ujë të pijshëm që është në gjendje sistemi i ujit të ofrojë.

Një shifër që është ndoshta më e qartë po të kihet parasysh se bëhet fjalë për 140 mijë tonë ujë.

Qyteti dhe i gjithë rajoni u zbraz pjesërisht në fillim të luftës, kur shumë zgjodhën të largoheshin drejt perëndimit të vendit ose jashtë vendit.

Por me kalimin e muajve, shumë u kthyen dhe në të njëjtën kohë erdhën refugjatë duke ikur nga zonat e luftimeve më të vështira, nga rajonet Kherson dhe Kharkiv.

Tani vlerësimi më i besueshëm është se aty banojnë rreth 500 mijë njerëz.

Si mund të organizohet shpërndarja për të gjithë këta njerëz?

Kryetari i bashkisë Olexandr Sienkevych dhe menaxheri i kompanisë së transportit komunal Yuri Smentana shpikën një mënyrë.

Ata morën një tramvaj të vjetër dhe një autobus të vjetër nga magazina dhe i përshtatën për të transportuar ujë në vend të pasagjerëve.

Katër cisterna në autobus dhe tre në tramvaj udhëtojnë disa herë në ditë në çdo cep të qytetit dhe dërgojnë ujë të pijshëm edhe në lagjet më të largëta.

Qytetarët mbërrijnë me kanaçe në oraret e përcaktuara dhe drejtuesit e mjeteve zbrazin ngarkesën për t’u kthyer në depo për ta mbushur sërish.

Një prej tyre është edhe Victor Roshkol, 60 vjeç.

“Po të mos kishte qenë kjo zgjidhje, nuk e di se si do t’ia kishim bërë”, thotë ai.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore