Lajme

Në më pak se tre muaj, AVUK ka pranuar rreth 60 ankesa për ushqime të pasigurta në Kosovë


Ilustrim

Në më pak se tre muaj, nga muaji janar i këtij viti e deri në këtë periudhë të muajit mars, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë ka pranuar rreth 60 ankesa nga konsumatorët, për produkte të ndryshme ushqimore të pasigurta në Kosovë.

Këto ankesa, tregon zëdhënësi i AUVK-ut, Lamir Thaçi, janë trajtuar të gjitha, “në afat rekord, brenda 24 orëve”, ka thënë ai në një prononcim për Albanian Post.

“Ankesat e konsumatorëve vijnë nga kanale të ndryshme. Pa marrë parasysh se cilën formë kanë zgjedhur konsumatorët që të ankohen. Ne e kemi trajtuar pa dallim, shumicës iu kemi kthyer përgjigje rreth ankesës së tyre”.

“Konsumatori është gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe gjithmonë punojmë për ta mbrojtur atë. Në secilin rast që shfaqet dyshimi në ushqime dhe marrim njoftim nga konsumatori apo edhe organet tjera ne menjëherë dalim në vendngjarje e verifikojmë mallin dhe vendosim sipas procedurave ligjore”, tregon Thaçi.

“Nga fillimi i marrjes së informatës me prova materiale e deri te raportimi në sistem duhet raportuar me të gjitha provat për verifikimin e ankesave. Inspektorati kryen të gjitha hulumtimet përmes inspektimit dhe nëse është e nevojshme merren mostra kryhen analizat, nëse operatori i biznesit apo kush do qe vërtetohet në rast si shkelës i ligjit. Ndaj tij/saj iniciohet fletëparaqitje për gjykatë. Tutje gjykata vendosë për masën ndëshkimore”.

 

Por, në anën tjetër konsumatorët në Kosovë, thotë ai, konsumojnë produkte “po aq të kontrolluara sa edhe në vendet tjera duke u krahasuar edhe me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”.

“Këtë e argumentojmë përmes procedurave standarde të kontrollit kufitar dhe atij të brendshëm nën termin ‘’Nga ferma në tryezë’’. Në të cilin kemi punuar në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimore duke filluar nga gjenetika, procesi i rritjes, përpunimi, paketimi, ruajtja dhe shitja në treg”, thotë Thaçi.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka të nominuar një anëtar në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit, bazuar në  vendimin e Kryeministrit për themelimin e kësaj trupe, duke bashkërenduar të gjitha aktivitet me Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit. Përveç këtij Departamenti AUV shqyrton ankesat që vinë nga burime të ndryshme, Zyra për Informim e AUV, linja e gjelbër, Njësia e Përbashkët për Inteligjencë, analizë të rrezikut dhe kërcënimeve (NJPIARK) – QKMK-MPB dhe Sistemi i Alarmit të Shpejt për Ushqim RASFF sistem i Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore