Kosova

Në Kosovë s’ka ekspertizë, jashtë Kosove s’ke ndihmë – vështirësitë e pacientëve që u duhet të shërohen jashtë vendit pa ndihmën e shtetit


Foto ilustrim nga Albanian Post.

S.B., nga Suhareka tash e sa muaj ka kërkuar ndihmë për shërimin e vajzës së tij nga institucionet e Kosovës, e cila pasi ishte rrëzuar nga një objekt i lartë kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Shërimi i vajzës së tij nuk është mundësuar në Kosovë, prandaj ajo është duke marrë terapi nga Shkupi.

Përgjigjja që po presin nga shteti është mbulimi i 70 për qind të shumës së shpenzuar në spitalet jashtë Kosovës.

“Shteti akoma s’ka ndihmuar asgjë. Ne ende jemi duke pranuar terapi nga Shkupi, kemi edhe disa operime. Nga shteti po presim përgjigjen për 70 për qind të shumës së shpenzuar në spitale”, thotë ai për Albanian Post.

Gjendja e saj është duke u përmirësuar, por problemi vazhdon të jetë tek financat.

“Tani për tani është duke bërë fizioterapi pasi që është akoma në karrocë”, pohon ai.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë për sa i përket marrëveshjeve që ka Kosova me spitalet jashtë vendit për shërim.

Të njëjtit kanë konfirmuar që Kosova vazhdon të ketë marrëveshje vetëm me një vend edhe numri i pacientëve në këtë vend është i limituar.

“Ministria e Shëndetësisë ka vetëm një marrëveshje mirëkuptimi me Turqinë, që për çdo vit, t’i trajtojë falas 100 pacientë nga Kosova, nuk ka ndonjë marrëveshje tjetër”.

Ministria e Shëndetësisë.

Sa i përket zgjedhjes së spitaleve, nga MSH-ja thonë se pacientët zgjedhin vetë spitalet në të cilat do të trajtohen jashtë institucioneve shëndetësore publike.

“Në bazë të Udhëzimit Administrativ 03/2017 për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve shëndetësorë publike, pacientet kanë të drejtë që të zgjedhin vet spitalin në të cilin do të trajtohen sipas diagnozës që kanë”.

Ndërsa Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësore “siguron grumbullimin efikas dhe transparent” të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm.

Nga ky institucion thonë se janë duke pranuar aplikimet si dhe është ndarë edhe buxheti për kërkesat e bëra.

“Fondi i Sigurimit Shëndetësore, gjatë vitit 2021, në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP), ka pranuar njëmijë e njëqind e njëzet e dy (1122) aplikacion, ndërsa nga janari i vitit 2022, e deri me tani, kemi pranuar, tetëqind e shtatë (807) aplikacione”, thuhet në përgjigjen e Fondit për Albanian Post.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Të njëjtit kanë bërë të ditur edhe shumën që është shpenzuar gjatë pothuajse dy viteve të fundit.

“Në kuadër të programit për TMIJShP, gjatë vitit 2021, janë shpenzuar 9,400,993.08€, ndërsa shuma e shpenzuar, nga janari i vitit 2022, e deri me tani, është 3,234,959.05€”.

Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia.

Kosova edhe pa sigurime shëndetësore e pa plan nga institucionet

Që nga viti 2004, ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ky ligj është miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr. Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).

Ilustrim.

MSH-ja, më herët, pati shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ligji për siguri shëndetësore, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajnë edhe punëdhënësit.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Ndryshe, institucionet shëndetësore të Kosovës kanë vazhdimisht edhe ankesa për mungesë barnave nga lista esenciale, si dhe të materialeve shpenzuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore