Kosova

Në kohën kur ka nevojë edhe për më shumë infermierë, qindra të tjerë mund të mbesin pa punë


Ilustrim.

Në vitin 2021 Kosova angazhoi edhe 1 mijë e 286 profesionistë shëndetësorë për t’u përballur me pandeminë COVID-19, përfshirë mjekë, infermierë, teknikë, inspektorë dhe staf mbështetës.

Kontratat e mantelbardhëve ishin bërë me afat gjashtëmujor ose tremujor, me mundësi vazhdimi.

Aktualisht, kur situata me Coronavirus në Kosovë është stabile dhe e menaxhueshme, zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë një vendim për këtë çështje dhe nuk dihet nëse kontrata e tyre do të vazhdohen.

“Kontratat skadojnë në periudha të ndryshme, sepse jo të gjithë janë angazhuar në të njëjtën kohë ndërsa është çështje që do ta vlerësojë Ministria e Shëndetësisë për më tej, varësisht nga gjendja pandemike në vazhdim, bazuar në aktet ligjore për luftimin e pandemisë në vend”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Albanian Post.

Enlirat Duraku, infermier në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në një bisede me Albanian Post, thekson që shërbimi shëndetësor ka nevojë akoma më shumë për rritje të numrit të infermiereve.

“SHSKUK/QKUK ka nevojë të madhe për këta infermierë, por edhe të tjerë shtesë ndërsa MSH duhet që këto kontrata t’i vazhdojë apo të gjejë fonde dhe t’i kthejë në kontrata të rregullta pune në mënyrë që të ulet mbingarkesa e skajshme e infermierëve në punë”, thotë për AP.

Ilustrim.

Sipas Durakut, “konkluzionet e studimeve apo fizibilitetit të viteve të mëhershme e që MSH duket se bazohet në to, duke pretenduar që për kokë banori ka infermier tepricë, nuk është e saktë e as e vërtetë”.

Ndër të tjera, ai paralajmëron largimin e madh të infermierëve për në vendet e Bashkimit Evropian.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë lënë Kosovën mbi 380 infermierë kualitativë dhe me eksperiencë bazuar në statistikat e fundit nga OIK, ndërsa gjatë këtij viti ky numër pritet të dyfishohet, andaj në një të ardhme të afërt Kosova do rrezikohet seriozisht nga mungesa e shërbimeve dhe ndërhyrjeve cilësore infermierore në rast se nuk ndërmerren masa”.

Edhe, kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi, në prononcim për Albanian Post, ngjashëm si Duraku, pohon se rritja e numrit të infermierëve në QKUK është shumë e nevojshme.

“Unë mendoj që është e arsyeshme që të gjithë ata infermierë që kanë punuar gjatë kohës së pandemisë nuk po flas veç për këta këtu, por edhe ata të cilët ishin larguar më herët janë shumë të nevojshme për QKUK”, thotë Rrustemi.

Ai madje sqaron se këto kontrata janë nënshkruar vetëm mes infermierit dhe ministrisë së Shëndetësisë, por nëse ky institucion nuk e ka mundësinë që të vazhdojë kontratën e të gjithë infermierëve të cilën janë angazhuar, të paktën duhet t’ua vazhdojë një pjese.

“Në këtë kontratë nuk përfshihen as turnet e natës as nuk përfshihen gjëra tjera kështu që ka qenë diçka që është dashur të vendoset shpejt, kështu që unë mendoj që duhet të hapet një konkurs i ri dhe të pranohen ata të cilët janë më meritorë”.

Më 18 qershor të vitit 2021, 360 infermierë që ishin punësuar kishin protestuar para Klinikës Infektive, për shkak se nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, kurse ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj.

E ardhmja e shëndetësisë, që po largohet nga Kosova

Ndyrshe, kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova me qëllim për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

“Vetëm në katër vitet e fundit në Kosovë, kanë kërkuar certifikatë për largim 400 mjekë”. Këtë e kishte bërë të ditur për Albanian Post, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Njëra nga protestat e punëtorëve shëndetësor.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, njëjtë si secila qeveri tjetër, nuk është se ka prezantuar plan specifik për ikjen e specialistëve mjekësorë.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë. Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore