Lajme

Në Johannesburg bie borë për herë të parë në 11 vjet


Banorët e qytetit më të madh të Afrikës së Jugut, Johannesburg, janë mahnitur nga reshjet e para të borës në më shumë se një dekadë.

Disa fëmijë e panë borën për herë të parë.

Teksa pjesë të Afrikës së Jugut kanë pasur rregullisht reshje bore mbi hemisferën jugore muajt e dimrit, Johannesburg ka pasur borë për herë të fundit në gusht 2012.

Pasi u fotografua në sheshin Nelson Mandela, Jennifer Banda i ka treguar agjencisë së lajmeve Reuters se ishte shtatzënë herën e fundit që ra borë.

“11 vjet më vonë, është emocionuese që kemi borë”, ka rrëfyer ajo.

Në rrjetet sociale, banorët e kanë përshkruar dëborën si magji të pastër dhe një fillim të mrekullueshëm të javës.

Profesoresha e gjeografisë Jennifer Fitchett i ka thënë gazetës Times se bora nuk kishte gjasa të zgjaste dhe ishte shkaktuar nga një rritje e lagështisë, temperaturat e ftohta dhe një erë e ftohtë.

“Kjo ndodh një herë në 10 vjet apo më shumë. Ne nuk jemi një zonë që ka shumë reshje bore dhe kjo është pjesërisht sepse në dimër kemi kushte të thata”.

Për herë të fundit atje ka rënë borë në vitin 2012 dhe më parë në vitin 2007.

Bora bie në Johanesburg një herë në pesë vjet mesatarisht, me reshje më të mëdha një herë në 10 deri në 20 vjet, sipas profesorit Francois Engelbrecht.

Meteorologu i Shërbimit të Motit të Afrikës së Jugut Wayne Venter ka thënë për Daily Maverick se kushtet nuk ishin të jashtëzakonshme dhe nuk mund të thuhet se ishin për shkak të ndryshimeve klimatike.

Sakaq, shërbimi i motit i Afrikës së Jugut ka lëshuar paralajmërime për shkak të frontit të ftohtë që ka goditur provincën Gauteng, e cila përmban Johannesburg-un dhe kryeqytetin, Pretoria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore