Kosova

“Ne jemi viktima” – Si populistët përdorin frikën dhe krenarinë për të mobilizuar mbështetjen


Viktor Orban, Aleksandër Vuçiç, Milorad Dodik

Ideja e viktimizimit në kuptimin e viktimizimit nga krimet, konfliktet dhe padrejtësitë, sipas studiueses Jessie Barton Hronesova, është përhapur në diskursin politik në mbarë botën në dy dekadat e fundit, duke pasur parasysh ndikimin e rëndësishëm në preferencat sociale dhe politike të qytetarëve dhe liderëve.

Në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, argumenton më tej studiuesja në një shkrim të saj autorial për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka udhëhequr idenë e shtrembëruar se një “gjenocid i bardhë”, po kryhet kundër amerikanëve të bardhë.

Në anën tjetër, shton më tej Hronesova, Vladimir Putin zhvillon një luftë agresive kundër Ukrainës për të mos lejuar që Rusia të bëhet viktimë e Perëndimit.

Ndërsa në Serbi, Aleksandër Vuçiç, nuk e humb rastin për të paraqitur qeverinë e tij si një viktimë të përhershme të politikës perëndimor, si dhe të fqinjëve të saj.

“Veçanërisht në pjesët lindore të Evropës, politika e viktimizimit është dëshmuar të jetë një strategji efektive komunikimi e liderëve politikë nacionalistë dhe radikalë të djathtë të cilët adoptojnë portretizime të thjeshta bardh e zi të çështjeve komplekse politike dhe historike si një mjet për të mobilizuar votuesit, për të ngritur emocionet, për të heshtur kritikët dhe delegjitimuar opozitën”, shkruan më tej Hronesova.

Narrativat e viktimave, thotë Hronesova, janë përhapur në hap me një integrim politik në rritje të populistëve të krahut të djathtë.

“Baza për të bërë pretendime për viktima mund të ndryshojë nga vuajtjet e drejtpërdrejta, padrejtësitë historike, trashëgimitë strukturore ose një kombinim i tyre. Vendet në të gjithë Evropën Lindore nga Estonia në Bullgari kanë adoptuar aspekte të ndryshme të viktimizimit në meta-narrativat e tyre kombëtare dhe mënyrën në të cilën ata e kuptojnë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, duke çuar në një ‘dëshirë rajonale për statusin e viktimizimit’ siç thonë disa”.

Narrativa e viktimave së fundmi u pasurua, siç shkruan Hronesova, nga “poshtërimi nga Perëndimi”, konkretisht, Brukseli, NATO-ja, e të ngjashme si këto.

Ndërsa Perëndimi në vitet 1990-ta përfaqësonte destinacionin përfundimtar për Lindjen, për shumë populistë të krahut të djathtë ai është kthyer në një koncept hegjemonik që imponon politika liberale mbi kombet më të vogla në Evropën Lindore – më së shumti multikulturalizmin.

“Siç vuri në dukje autokrati populist çek Andrej Babis në vitin 2021 kur ishte kryeministër, ‘Republika Çeke është një shtet sovran ku ne do të vendosim se kush do të punojë dhe jetojë këtu. Unë nuk dua një Evropë myslimane’”.

“Ose sipas fjalëve të Viktor Orban , Hungaria po ‘sulmohet nga elita globale, e cila ka hartuar me kaq mjeshtëri dhe tërësi një plan për zëvendësimin e popullsisë evropiane, me shpresën se në këtë mënyrë ata mund të dobësojnë shtetet dhe partitë kombëtare të bazuara në themelet e krishtera, dhe më pas të marrin kontrollin e Bashkimit Evropian’”.

Rrëfimet e viktimave kështu sipas, Hronesovas, ndajnë disa të përbashkëta themelore: ato përcaktojnë se kush është pala e dëmtuar dhe si u dëmtuan ato.

“Ata gjithashtu ose përcaktojnë ose nënkuptojnë viktimizuesin (p.sh. ‘tjetri’, ‘Perëndimi’, George Soros, e majta liberale), dhe më pas paraqiten si shpëtimtar ose luftëtar për drejtësi. Përmbajtja e tregimeve të viktimave bazohet në disa aspekte të viktimizimit ‘të përdorshëm’ që më pas riformësohet dhe transformohet nga narratori për të ngjallur emocione të tilla si frika (për t’u bërë viktimë), zemërimi (nga padrejtësia) dhe krenaria (për të pasur një mbrojtës të fortë)”.

Rrëfimet e viktimave, përfundon ajo, janë ngushëlluese në thjeshtësinë dhe uniformitetin e tyre, duke i bërë ato politikisht shumë efektive dhe tërheqëse, veçanërisht për populistët e krahut të djathtë në të gjithë Evropën Lindore, ku ankesat historike janë të kudondodhura dhe e kaluara nuk është zhdukur kurrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore