Shqipëria

Në harres prej vitesh, fillon puna për shembjen e stadiumit të Besës së Kavajës


Besa e Kavajës, një prej klubeve më emblematike të futbollit shqiptar, duket se do të ketë një shtëpi të re së shpejti. Puna për shembjen e stadiumit të vjetër në qytetin e Kavajës ka nisur ditën e sotme, 13 shtator, me shëmbjen e tribunës kryesore.

E krijuar 89 vite më parë, Besa prej vitesh luante larg qytetit dhe stadiumit të saj për shkak të kushteve të mjerueshme.

Verdhezinjtë aktualisht janë pjesë e Kategorisë së Parë të Shqipërisë, ku mbajnë vendin e parë, çfarë tregon edhe aspiratat e tyre për të luajtur në Abissnet Superiore sezonin e ardhshëm. Një objektiv që do t’i gjejë edhe me stadium të ri.

Besa është dy herë fituese e Kupës së Shqipërisë, një here fituese e Superkupës së Shqipërisë, si dhe katër herë fituese e Kategorisë së Parë.

Kavajasit gjithashtu kanë përfunduar në vendin e dytë në dy raste në Superiore, në dy raste në Kategorinë e Parë dhe në gjashtë raste në Kupën e Shqipërisë. Ata kanë luajtur në katër raste në raundet kualifikuese të Kupave të Evropës.

Kujtojmë se në vitet e saj të arta, Besa ka pasur në organikën e saj futbollistë shumë të njohur si ish-yjet e Kombëtares së Shqipërisë Sokol Cikalleshi, Andi Lila dhe Alban Hoxha, apo yjet aktual të Kombëtares së Kosovës si Vedat Muriqi, Mustafë Abdullahu dhe Bernard Berisha, ndër të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore