Lajme

Në Ferizaj të gjitha varret do të duken njëjtë


Varret e reja në Ferizaj

Varri, si hapësirë e veçantë ku vendoset një trup i vdekur, në Kosovë është aplikuar në forma e modalitete të ndryshme.

Varret zakonisht vendosen në hapësira të veçanta, por e veçantë nuk është aspak forma e varrit të një kufome.

Forma dhe dukja e varreve në Kosovë nuk është e rregulluar me asnjë ligj shtetëror, përveç rregulloreve komunale të cilat flasin për varrezat, ofrimin e shërbimeve dhe mirëmbajtjen e tyre.

Por, se si do të duket hapësira mbi dheun ku është varrosur një i vdekur, vendosin vet familjarët. Të cilët kanë investuar në to varësisht nga buxheti familjar, duke zënë hapësira shumë më të mëdha se sa vet varri.

Për të rregulluar këtë kaos në varreza dhe për të kursyer sa më shumë hapësirë brenda varrezave, Komuna e Ferizajt ka hartuar një rregullore e cila përveç mirëmbajtjes flet edhe për mënyrë e organizimit brenda hapësirës së varrezës dhe veçanërisht për dukjen e tyre. Duke u bërë kështu komuna e parë në Kosovë e cila i organizon varret në këtë mënyrë.

“Varreza të rrafshëta e me pllakë të njëjtë përkujtimore”, ka treguar Lulizim Aliu, nënkryetar i Komunë së Ferizajt, për Albanian Post.

Ky do të jetë modeli i ri i rregullimit dhe organizimit të varreve të reja në qytetin e Ferizajt, ka treguar Aliu.

Kjo formë e punimit të varreve ka marrë dritën e gjelbër pas miratimit të rregullores nga asamblistët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt.

“Secili varr do ta ketë edhe numrin rendor”, ka treguar Aliu, duke shtuar se kjo do t’u ndihmoj familjarëve në të ardhmen për të identifikuar më lehtë varrin e të afërmit të tyre në vizita.

“Kjo nënkupton që secila kufomë do ta ketë edhe adresën e varrimit dhe ndërkohë do të përpiqemi të ndikojmë në organet qendrore që kjo të shënohet edhe në certifikatën e vdekjes”.

Varret e reja në Ferizaj

“Kultura e çdo kombi vërehet në varreza”

Kështu vlerëson, profesori i Gjuhës Shqipe, Kadri Shumolli, profesor i Gjuhës Shqipe në Ferizaj i cili përveç që ligjëron këtë lëndë për nxënësit e shkollës fillore “Tefik Çanga”, është edhe zëvendësdrejtor i kësaj shkolle.

“Unë mendoj se kur ne të arrijmë në nivelin e duhur të vetëdijesimit, kur ne i kushtojmë rëndësi të veçantë të vdekurve, mendoj, se jemi në rrugë të drejtë, prandaj them se varret në një formë tregojnë kulturën e popullit”, thotë Shumolli për Albanian Post.

Kadri Shumolli, Profesor i Gjuhës Shqipe në sh.f. “Tefik Çanga” në FerizajShumolli, i cili ka parë vendimin e ri të Komunës së Ferizajt vlerëson se është iniciativë shumë e nevojshme.

“Iniciativa më ka pëlqye shumë, kemi shumë nevojë, sidomos kjo, me u bë shënjimi i tyre me numra, unë mendoj që është ide shumë e qëlluar, që të dihet edhe pas 50-60 vitesh i kujt është ai varr, dhe normalisht të gjendet më lehtë nga familjarët”, shpjegon Shumolli.

“Kemi shumë nevojë të bëjmë përmirësime në varreza. Nuk jam shumë në ngjarje, por i di varrezat e familjarëve të mi, dhe nuk janë fare të mira, as në dukje”, përfundon Shumolli.

Ndërsa Naser Jashari, qytetar i Ferizajt vlerëson e ky ndryshim i organizimit të varrezave në Ferizaj, do të krijoj më shumë hapësirë e më pak ndasi ekonomike ndërmjet varreve.

Naser Jashari, qytetar i Ferizajt

“Personalisht, mendoj se janë dy arsye. E para, për shkak se shumë më lehtë mirëmbahen varrezat kur nuk pengojnë ato kufizimet rreth varreve, dhe e dyta se aty të gjithë janë të barabartë”, thotë Jashari për Albanian Post.

“Nuk ka nevojë që edhe aty të bëjmë ndasi, të pasur e të varfër. Siç kanë vepruar me varrezat e vjetra deri tani. Besa, disa edhe përmendore filluan të ndërtonin mbi varret e familjarëve të vet”, ka përfunduar Jashari.

Bashkësia Islame e mirëpret vendimin e ri

Naser Kosumi, Hoxhë në Xhaminë e Vogël të qytetit të Ferizaj ka thënë për Albanian Post se as me fe Islame nuk lejohet dekorimi i tepërt i varreve.

“Me besim do të ishte më mirë veç të dihet kush pushon aty, emri, mbiemri, viti i lindjes dhe vdekjes. Me Islam nuk lejohet vënia e gurëve të ndryshëm e stolisja e mbingarkuar siç është bërë deri tani”.

Naser Kosumi, Hoxhë në Xhaminë e Vogël në Ferizaj

“Bashkësia islame e ka mirëprit vendimin e Kuvendit komunal të Ferizajt për organizimin e varreve”.

“Ne nuk jemi kundër asgjë, jemi shumë mirënjohës që të gjitha varrezat të jenë në të njëjtin sistem, të jenë të barabarta. Shumë më mirë edhe për qytetarë, që varrezat të jenë të barabarta dhe të mos dallohet i varfëri nga i pasuri”, ka shpjeguar më tej Kosumi.

Këtë vendim të Komunës, Kosumi e quan të vonuar, sepse në lokacionin e ri të varrezave, qytetarët kanë filluar të varrosin të afërmit e tyre njëjtë si në varrezat e vjetra, pa ndonjë kriter.

“Është vonuar pak Komuna e Ferizajt në projektin e ri të varrezave, sepse edhe aty kanë vendosur qytetarët ti rregullojnë varret si kanë dashur”.

Sipas Kosumit, vendimi i ri është mirëpritur edhe nga xhemati.

“Qytetarët e kanë mirëpritu por e kanë një hall se çka do të ndodh me ato ndërtimet që i kanë bërë deri tani”.

“Deri tani kanë qenë jo në rregull, kanë bërë gara nëpër lapidarë të varrezave”.

Hoxhë Kosumi sugjeron qytetarët dhe komunarët që edhe varret e rregulluara me gurë të ndryshëm, të adaptohen me vendimin e ri të komunës.

“Edhe ato varrezat që i kanë rregulluar vet qytetarët të mos dallohen nga të tjerët, jo të rrënohen por të rregullohen sikur të rejat, sipas projektit”.

Komuna e Ferizajt merret me menaxhim të varrezave, ku përfshihet caktimi i hapësirë së varrit e radhitja, ndërsa Bashkëria Islame ofron vetëm shërbimet mortore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore