Në ditën e çlirimit, protestë “Në përkrahje të çlirimtarëve” të burgosur

SHFLETO

Protesta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë

 

Altina Marmullaku
12.06.2021 12:32
Loading Icons...

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur një aktivitet protestues përmes artit, për shkak të fyerjeve që po bëhen në vazhdimësi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo protestë artistike e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës është mbajtur edhe për shkak të gjykimit që po u bëhet ish krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ideatori i këtij aktiviteti, Besart Gashi ka paraqitur figurat e ish drejtuesve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim nga Specialja në Hagë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, e të tjerë.

Ushtruesi i detyrës të kryetarit të organizatës së veteranëve të luftës, Faton Klinaku tha se ky aktivitet është organizuar për njerëz që nuk ia dinë vlerën lirisë.

“Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët. Në këtë përvjetor themeluesit gjenden prapa grilave në Hagë, pasi gjykohet lufta jonë dhe jo ndaj krimeve të Serbisë. Ky aktivitet u organizua për njerëz që nuk ia dinë vlerat lirisë, ndër ta edhe ministrat e Qeverisë”, është shprehur ai para mediave.

Kurse një nga pjesëmarrësit në këtë protestë, Ramiz Canolli është shprehur duke thënë se sjelljet e Qeverisë së Kosovës ndaj UÇK-së janë të papranueshme.

“Ka shumë arsye por, një ndër kryesoret është nënçmimi i luftës çlirimtare. Ju kanë vërsul UÇK-së e cila e ka dhënë mundin, dijen dhe gjakun për lirinë e Kosovës. Kjo është shumë keq për popullin shqiptar dhe sidomos për Qeverinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ai tutje ka thënë se vlerat e UÇK-së nuk janë vlera që duhet mohuar dhe se dhuna ndaj invalidëve të UÇK-së është për keqardhje(duk iu referuar Faik Fazliut).

“Vlerat e UÇK-së nuk mundet askush me i mohu, ato janë të patjetërsueshme. E dyta me u ushtrua dhunë ndaj një invalidi të luftës i cili në çdo vend të botës ka respektin maksimal është shumë keq. Pa marrë parasysh nëse ka bërë ndonjë vepër, ka tjera metoda se si me u sjellë ndaj tij”, ka përfunduar ai.

Po ashtu, protestuesit gjatë aktivitetit kanë pasur me vete edhe flamuj kombëtar.

Më 12 qershori shënon 22 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pas 78 ditë bombardime ndaj caqeve serbe, Aleanca Veri-atlantike NATO gjunjëzoi ish Jugosllavinë(Serbinë) duke e detyruar të nënshkruaj një marrëveshja tekniko-ushtarake të njohur si Marrëveshja e Kumanovës e cila detyron forcat serbe të largohen nga Kosova brenda 24 orëve.

Brenda një dite përkatësisht më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë hynë mbi 50 mijë forca ushtarake të NATO-s.