Lajme

Në Bruksel mbahet takimi i tretë Bislimi-Petkoviç për dinarin


Besnik Bislimi, Petar Petkoviç dhe Miroslav Lajçak.

Këtë të enjte, në kryeqendrën evropiane, Bruksel, do të mbahet takimi i tretë në mes të kryengociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij serb Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ndalon dinarin serb për pagesa.

Ky takim vjen pasi që dy paraprakët kishin rezultuar të pasuksesshëm.

Se në raundin e tretë të takimeve për dinarin mund të ketë dakordim, kishte shprehur shpresa vetë Lajçak. Këtë e kishte bërë në një postim në X më 25 mars, pas që kishte ndërmjetësuar takimin e dytë Bislimi-Petkoviç për këtë çështje.

“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme. Javën e ardhshme ne ramë dakord të mblidhemi sërish me ambicien për të gjetur një zgjidhje”, shkroi ai.

Edhe Bislimi pas takimit të dytë për dinarin kishte theksuar nevojën e një takimi të tretë.

“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhje apo jo”, theksoi Bislimi.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”, shtoi.

Nga ana tjetër, ashtu edhe siç pritej, Petkoviç kishte akuzuar palën kosovare se nuk është e gatshme për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

“Kemi pasur bisedime të drejtpërdrejta me palën prishtinase, kemi paraqitur propozimin tonë. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë”, tha ai para gazetarëve.

“Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Unë jam i shqetësuar për pozitën dhe ardhmërinë e popullit serb në Kosovë dhe kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, nënvizoi Petkoviç.

Para takimit të dytë palët ishin dakorduar që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

Ndryshe, vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit, madje kanë thënë se ky vendim ka cenuar raportet në mes të dy shteteve respektive.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb në territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

BQK-ja njoftoi se rregullorja e re do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore