Lajme

Në Bakhmut, midis batalioneve ukrainase: U nisëm 100 dhe mbetëm 20


Psikologët ushtarakë shpjegojnë se ata më të dërrmuarit mes ushtarëve në front janë “ata më intelektualë, të cilët janë të lidhur gjatë gjithë kohës me Starlink në celularët e tyre duke u përpjekur të marrin çdo informacion”.

Ata lexojnë duke klikuar në mënyrë obsesive në faqet e blogerëve ushtarakë, si ukrainas dhe rusë pasi janë ata që njohin statistikat për përdorimin e plumbave, që shikojnë hartat online të Deep State në përpjekje për të kuptuar se kush po përparon dhe kush po tërhiqet, që kërkojnë numrat në faqet e gazetave perëndimore të të vdekurve dhe të plagosurve çdo ditë, por në fund janë po ata që bien më lehtë në depresion për shkak të stresit dhe madje tentojnë edhe vetëvrasje.

“Dikur nuk ishte kështu, ushtritë promovonin më të arsimuarit. Por sot, marrja e informacionit në internet në llogore rrezikon t’i shndërrojë kërcënimet reale në fantazma obsesive, të cilat çorientojnë dhe paralizojnë vullnetin për të luftuar”, thotë për italianen “Corriere della Sera” Oleg Fesenco, një psikolog dhe kardiolog i njohur nga Odessa, tashmë oficer mjekësor me njësitë që luftojnë përgjatë llogoreve më të përgjakshme të luftës në pesëdhjetë kilometrat që ndajnë qytetin e Bakhmut-it nga ai i Avdiivka-s, afër Donetsk-ut.

“Një nga metodat e mia të trajtimit, veçanërisht midis rekrutëve, është t’iu marr telefonat celularë dhe t’i bëj ata të përqendrohen ekskluzivisht në detyrat e tyre praktike. Prania e oficerëve të qetë dhe një mjedisi të disiplinuar janë një ndihmë e madhe. Tani e di që mesatarisht rreth 30 për qind e trupave kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike kur qëndrojnë nën bombardime për një kohë të gjatë. Nëse nuk arrin në kohë shtohen dezertimet, shtohen rastet e ushtarëve të paralizuar nga frika, triumfon irracionalja dhe mbi të gjitha manifestohet fenomeni i vetëplagosjes së bashku me kërcënimet për vetëvrasje”, shton ai.

Granatimet e artilerisë

Mes të shtënave doktori qëndron në këmbë, duke nxjerrë në pah vetëbesimin e ushtarëve. “Në sytë e tyre unë përfaqësoj një pikë referimi, një shembull, nuk mund të tregoj frikë”, thotë ai.

Pa dyshim, oficerët si ai janë thelbësorë për ushtrinë ukrainase 14 muaj pas fillimit të kësaj lufte, veçanërisht tani që po përgatitet ofensiva e madhe për të dëbuar rusët nga territoret e pushtuara.

Në Bakhmut ukrainasit po humbasin ngadalë terren. Bie shi, balta dominon dhe vonon kohën e sulmit. Shtabi i përgjithshëm në Kiev i kërkon ushtrisë të rezistojë, kundërsulmi mund të fillojë së shpejti.

Megjithatë, fakti është se pikërisht tani, pas vijës së parë, historitë për ashpërsinë e luftimeve janë të shumta.

“Njësitë tona vazhdojnë të rrotullohen sepse shpesh disa javë nën zjarr mjaftojnë për të humbur më shumë se gjysmën e njerëzve tanë. Beteja e Bakhmut-i pa shumë veteranë të vdekur dhe tani duhet kohë për të trajnuar rekrutët e rinj”, thotë për “Corriere della Sera” 61-vjeçari, Serhii Rebezhenko, i Batalionit 237 të Këmbësorisë.

Fitorja përfundimtare

“Nuk kam asnjë dyshim, në fund do të fitojmë. Por rusët sulmojnë, humbin shumë më tepër njerëz se ne, por nuk ndalen. Është një masakër. Në anën tonë ishin 100 ushtarët e batalionit 236, pas disa ditësh të paktën 80 qenë të vdekur ose të plagosur rëndë. Dhe nuk është një rast i izoluar, thjesht sepse rusët kanë më shumë municion. Për një kanonadë tonë përgjigjen me njëzet”, shton ai.

Ndërkohë në sektorin Avdiivka qarkullon historia e rusëve të maskuar si ukrainas.

Viktoria, një infermiere 28-vjeçare me origjinë nga një fshat në provincën e Odessa-s, se “ka rusë që veshin uniformat tona, natën kalojnë frontin dhe pastaj bëjnë kërdinë pas linjave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore