Lajme

Në ATK dhe E-Kosova mund të aplikojnë qytetarët për 100 eurot shtesë të Qeverisë


Në web-faqen e Administratës Tatimore të Kosovës dhe në platformën E-Kosova të gjithë punëtorët e sektorit privat, studentët dhe pensionistët mund të aplikojnë për t’i marrë 100 euro shtesë për muajin prill, pasi kështu vendosi më 12 prill Qeveria e Kosovës në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se vlera totale e kësaj përkrahje është mbi 100 milionë euro.

“Nga kjo mbështetje do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension bazik, pension kontribut pagues”, tha Kurti.

“Për herë të parë”, siç potencoi kryeministri, “do të mbështesim me shumë të njëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës”.

Për shtresat e varfra, kryeministri potencoi se janë duke vazhduar të shpërndajnë 40 mijë pako ushqimore dhe do të vazhdojnë “mbështetjen për ofrimin e shujtave përmes kuzhinave popullore”.

“Vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milion euro dhe nga këto masa e kjo shumë do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës”, theksoi kryeministri Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore