Shqipëria

Ndryshimi: Berisha i flet një stadiumi bosh


Edi Rama hapi fushatën elektorale socialiste duke i ftuar kandidatët e tij gjatë diskursit që të mos e tepronin me postera, ekrane gjigante, altoparlantë, propagandë agresive dhe të investonin një pjesë të  fondeve për gjysmën e fushatës në mbjelljen e pemëve.

Sali Berisha e hapi sot fushatën elektorale të koalicionit të tij në Stadiumin Kombëtar “Air Albania” me ekrane gjigante, me muzikë rock dhe slogane agresive.

PS-ja bastin e vë tek imazhi i liderit të saj dhe vendos kandidatët bashkiakë në plan të dytë. Sali Berisha organizon parakalimin në skenë të 61 kandidatëve të  tij për kryetar bashkie, duke filluar nga më i rëndësishmi, Belind Këlliçi për Tiranën.

Të gjithë, pa përjashtim, e nisin fjalën e tyre duke i bërë homazhe “Dr. Profesor Sali Berishës” (udhëheqësit të dashur), i cili duket si i balsamosur në skenën e madhe pranë një Ilir Mete, thuajse të injoruar nga të gjithë. Shumë pak nga kandidatët do i drejtoheshin liderit të Partisë së Lirisë.

Dhe në këtë momente slogani socialist që i sheh kundërshtarët si e kaluar që duhet lënë pas godet në shenjë, sepse skena të kujton disa parada të regjimeve komuniste të shekullit të kaluar që shumë nga ata të cilët votojnë i kujtojnë.

Sa i përket përmbajtjes politike, le të themi se propaganda nuk lë vend për një program elektoral pragmatik dhe të realizueshëm.

Të gjithë kandidatët rendisin shumë mangësi të shoqërisë shqiptare: mungesë gjelbërimi, rrugë të këqija, mungesë trotuaresh dhe parqesh, pak çerdhe e kopshte, shërbime të dobëta urbanistike. Edhe Këlliçi që më shumë se të tjerët mundohet të jetë konkret në premtimet e tij, asnjë zgjidhje e vetme nuk jepet si ato premtime mund të arrihen.

Siç thotë në fjalimin e tij shumë të shkurtër ish-presidenti Ilir Meta, koalicioni i djathtë do të bëjë një “revolucion” duke eliminuar taksat dhe duke i bërë falas “të gjitha shërbimet që duhet të jenë falas”.

Por, për të pasur një ligjërim politik më të thelluar, duhet të presim përfundimet e “njeriut që i ka bërë të mundur të gjitha këto që nga themelimi i tij”, domethënë “profesor doktori” që të gjithë i referoheshin në hyrjet e tyre.

Ndërkohë anomalia e politikës shqiptare, Sali Berisha vazhdon të flasë në emër të Partisë Demokratike, duke harruar një detaj të vogël, që ai emër dhe simboli i tij i janë atribuuar me vendim gjyqësor dikujt tjetër.

Në fakt Berisha dhe të tijët nuk mund ta përdorin atë, aq më pak në një fushatë elektorale. Por siç dihet për Berishën, ligjshmëria nuk duket se ka qenë kurrë një kufi apo vlerë për t’u respektuar.

“Profesor doktori” plotëson kuadrin programor që përmend Meta.

Pagat dhe pensionet do të duhet të arrijnë nivelet e Bashkimit Evropian, të  jenë më  të  lartat në Rajon dhe për këtë arsye shpopullimi do bjerë dhe emigrantët shqiptarë do të jenë të lumtur të rikthehen në  atdhe.

“Duhet të jetojmë në nivele evropiane”, premton Berisha, i cili i shpall luftë edhe varfërisë së krijuar nga Edi Rama.

“Kur isha në qeveri, shqiptarët nuk emigruan si sot dhe rrogat tona ishin më të lartat në rajon”, përsërit ai shpesh pa asnjë pikë turpi.

Ndoshta në atë moment në ekranet pas tij duhet të kishin kaluar pamjet e anijeve në portin e Barit dhe të gomoneve të ngarkuara me emigrantë që zbarkuan në brigjet italiane në ato vite, pa mos harruar katastrofën e piramidave në 1997.

Slogani elektoral i socialistëve identifikon të shkuarën me Metën dhe Berishën dhe të ardhmen me Ramën.

Sali Berisha e përsërit si mantra konceptin e tij “ne jemi ndryshimi”, a thua qeverisjet e tyre janë të  harruara në memorien e njerëzve.

Ndoshta shpresa që ndërron në aftësinë e harresës së elektoratit.

Më pas, duke qenë se historinë e “persona non grata” nuk e gëlltit dot, përmend jo pak herë çështjen McGonigal duke akuzuar Ramën për korrupsion (për Berishën është fakt i kryer) dhe duke i uruar të  njëjtën qeli me të.

E si për të shfajësuar veten për keqkuptimin amerikan në lidhje me “non gratan” kujton që “ne prisnim presidentin G. W. Bush, kurse Edi Rama krenohet me McGonigal, i cili e pret në sallën e gjyqit”.

Fjalimi i Berishës, ashtu sikurse thirrjet e kandidatëve njerëzve për të dalë e për të votuar, nxjerrin në pah shqetësimin për mungesën e mundshme të një pjese të elektoratit të tyre. Pa dyshim elektorat kuptueshëm i hutuar, i humbur nga zhgënjimi dhe përçarja brenda PD-së, me gjithë pakënaqësitë ndaj qeverisjes socialiste.

Këtu përfundon. Me sigurinë e një fitoreje që do t’i japë Shqipërisë shansin për kthese, duke zgjidhur (nuk dihet akoma se si) të gjitha problemet e saj dhe do ta afrojë gjithnjë  e më shumë me Evropën.

Socialistët, thotë “profesor doktori” janë të tmerruar prej nesh.

Në Evropë, pra, Shqipëria do të hyjë nga dera kryesore, e shoqëruar si garant nga një zotëri që konsiderohet “persona non grata” në SHBA dhe Britaninë e Madhe, nga një zotëri që edhe militantët e mbledhur nga 61 bashkitë  e Shqipërisë nuk patën durimin ta dëgjonin deri në fund. Kjo ndoshta arsyeja pse në fund të eventit kameramanët ishin të fokusuar të xhironin vetëm podiumin e liderit.

Hapja e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Meta dhe Berisha premtojnë ndryshim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore