
Një raport i ri nga Organizata e Kombeve të Bashkuara nxori në pah “cenueshmërinë” e Afrikës nga pasiguria ushqimore, varfëria dhe zhvendosja e popullsisë si rezultat i ndryshimit të klimës.
Raporti u publikua përpara samitit të klimës COP26 në Glasgow, pasi OKB-ja paralajmëroi se kushtet ekstreme mund të shtyjnë më shumë njerëz të emigrojnë larg kontinentit.
Tashmë, rreth 1.2 milionë njerëz u zhvendosën nga stuhitë dhe përmbytjet në vitin 2020, gati dy herë e gjysmë më shumë.
Çfarë shkruhet në raport?
“Deri në vitin 2030, vlerësohet se deri në 118 milionë njerëz jashtëzakonisht të varfër do të ekspozohen ndaj thatësirës, përmbytjeve dhe nxehtësisë ekstreme në Afrikë, nëse nuk merren masa të përshtatshme”, tha Josefa Leonel Correia Sacko, komisionere për Ekonominë Rurale dhe Bujqësia në Komisionin e Bashkimit Afrikan.
Sipas raportit, i cili ishte një përpjekje e përbashkët me Organizatën Botërore Meteorologjike (WMO), të varfrit janë ata që jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë.
“Në Afrikën nën-Sahariane, ndryshimi i klimës mund të ulë më tej produktin e brendshëm bruto deri në 3%”, tha Sacko në parathënien e raportit.
Afrika përbën më pak se 4% të emetimeve të gazrave serë, por prej kohësh është parashikuar të ndikohet rëndë nga ndryshimet klimatike.
Tokat bujqësore të saj tashmë janë të prirura ndaj thatësirës, shumë prej qyteteve të saj kryesore ndodhen përgjatë bregdetit dhe një pjesë e madhe e popullsisë së saj jeton në varfëri.
Raporti parashikoi se me ritmet aktuale të tre akullnajat e Afrikës do të ishin zhdukur deri në vitet 2040.
Vitin e kaluar, masa tokësore dhe ujërat e Afrikës u ngrohën më shpejt se mesatarja botërore.
Në veçanti, mali Kenia pritet të degradohet, gjë që do ta bënte atë “një nga vargjet e para të tëra malore që humbi për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com