Lajme

Ndotja e ajrit prek të gjitha fazat e jetës njerëzore, sipas raportit


Ndotja e ajrit ndikon në të gjitha fazat e jetës njerëzore – nga zhvillimi i fetusit dhe aftësitë njohëse të adoleshentëve te shëndeti mendor i të rriturve.

Kjo, sipas një raporti që kombinon rezultatet e më shumë se 35 mijë studimeve nga e gjithë bota, transmeton “Al Jazeera”.

Grupi i Kërkimeve Mjedisore në “Imperial College London” publikoi të hënën një përmbledhje të studimeve shëndetësore mbi ndotjen e ajrit të kryera gjatë dekadës së fundit.

Ekipi nga Universiteti i Londrës studioi rezultatet e hulumtimit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Komiteti i Mbretërisë së Bashkuar për Efektet Mjekësore të Ndotjes së Ajrit, Kolegji Mbretëror i Mjekëve, Instituti i Efekteve Shëndetësore dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin.

“Zbulimi i ri më i rëndësishëm lidhet me ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e trurit, duke përfshirë shëndetin mendor dhe demencën, si dhe ndikimin në fillimet e jetës që mund të shkaktojë probleme shëndetësore në të ardhmen”, thuhet në raport.

Raporti gjeti lidhje midis ndotjes së ajrit dhe shëndetit të të porsalindurve në javët e para të jetës, peshës së foshnjës në lindje, abortit dhe lindjeve të dështuara.

Thithja e grimcave të ndotjes së ajrit mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e fetusit, thuhet në raport.

Kimikatet që lidhen me ndotjen mund të hyjnë në gjakun e një gruaje shtatzënë, duke ndryshuar rrjedhën e gjakut, madje duke ngadalësuar potencialisht rritjen e fetusit.

Sipas të dhënave të OBSH-së, më shumë se 20 milionë foshnja lindin nën peshë çdo vit dhe më shumë se 15 milionë foshnja lindin para kohe.

Por ajri i ndotur nuk ndikon vetëm në shëndetin riprodhues të nënës.

Tek meshkujt e ekspozuar ndaj ajrit të ndotur, vërehet gjithashtu një nivel më i ulët i spermës.

Rezultatet e një studimi tjetër të përmbledhur në këtë raport sugjerojnë se “ekspozimi ndaj grimcave” rrit rrezikun e zhvillimit të demencës.

Studimet e kryera së fundmi kanë treguar gjithashtu se ndotja e ajrit mund të ndikojë në zhvillimin e mushkërive të fëmijëve, presionin e gjakut dhe shëndetin e tyre konjitiv (njohës) dhe mendor.

Ekspertët nga Imperial College thonë se hulumtimi që përfshin 2 mijë fëmijë të moshës tetë dhe nëntë vjeç tregoi se “mesatarisht, një fëmijë humbet rreth pesë për qind të vëllimit të mushkërive për shkak të frymëmarrjes në ajër të ndotur”.

“Ky efekt lidhet më qartë me ekspozimin ndaj NO2 [oksidit të azotit]”, thuhet në raportin e tyre.

Raporti tregoi se ndotja e ajrit shkakton edhe astmë.

Nga viti 2017 deri në vitin 2019, cilësia e dobët e ajrit në Londër çoi në më shumë se 1 mijë e 700 shtrime në spital për astmë dhe kushte serioze të mushkërive, sipas një vlerësimi nga Imperial College.

Raporti tregon gjithashtu se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të rrisë vdekjen nga sulmet në zemër, rrezikun e goditjes në tru dhe zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare më vonë në jetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore