Lajme

Ndihmat humanitare kanë filluar të kalojnë kufirin Rafah, drejt Gazës


Karvanet e ndihmave humanitare kanë filluar të kalojnë kufirin Rafah, në rrugën drejt Gazës, raportoi e përditshmja egjiptiane “Ahram”.

Lajmi u konfirmua më pas edhe nga transmetuesi “Al Jazeera”.

“Kemi imazhe të kamionëve të ndihmës së parë që tani kalojnë përmes pikës kufitare Rafah, duke hyrë më në fund në Gaza ku do të inspektohen”, shkruan Al Jazeera.

Më shumë se 200 kamionë që transportonin afërsisht 3 mijë tonë ndihma, të cilat ishin pozicionuar pranë vendkalimit për ditë të tëra, filluan të shkojnë drejt Gaza-s. Televizioni shtetëror egjiptian tregon disa kamionë që hyjnë në portë.

Në të njëjtën kohë, shtetasit e huaj pritet të largohen nga Gaza dhe Ambasada e SHBA-ve në Jerusalem ka paralajmëruar për një “mjedis potencialisht kaotik dhe të çrregullt në të dy anët e vendkalimit”.

Hapja e kalimit Rafah do të sugjeronte se një ofensivë tokësore nga Izraeli, nuk do të ndodhë menjëherë.

Por njerëzit janë të shqetësuar se nëse ndihma lejohet, atëherë kjo do të thotë që izraelitët mund të hyjnë dhe të fillojnë pushtimin tokësor.

Pas lirimit nga Hamasi të dy pengjeve nga Gaza, Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri në Evropë po e shtyjnë në heshtje Izraelin që të ndalojë fillimin e një pushtimi tokësor të Gazës, nga frika se inkursioni do të shkatërrojë përpjekjet për të siguruar lirime të tjera pengjesh në të ardhmen.

Lajmi u bë i ditur nga The Times of Israel, duke cituar një zyrtar të lartë diplomatik.

Qeveritë perëndimore që aktualisht i bëjnë presion Izraelit kanë secila qytetarë në mesin e të pagjeturve dhe besojnë se sa më shumë kohë të kalojë, aq më e vështirë do të jetë të sigurohet lirimi i pengjeve, thotë zyrtari.

Qeveritë e pranojnë se një pushtim tokësor ka shumë të ngjarë dhe nuk po i thonë Izraelit të mos nisë fare një të tillë, përkundrazi të ndalet për të provuar nëse përpjekjet shtesë diplomatike mund të kenë sukses, shton zyrtari i lartë diplomatik.

Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi më herët fjalët e një zyrtari egjiptian se dy kamionë që transportonin ndihma humanitare kishin hyrë në anën e Egjiptit të pikës kufitare me Gazën herët të shtunën, por kamionët nuk kishin kaluar ende në enklavën e rrethuar palestineze.

Pavarësisht se Izraeli njoftoi në fillim të kësaj jave se ndihmat shumë të nevojshme do të lejohen të hyjnë në Gaza nga Egjipti nëpërmjet kalimit Rafah, kufiri ka mbetur i mbyllur dhe ka pasur raportime për bombardime izraelite pranë pikës kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore