Sport

Ndeshja Shqipëri-Çeki/ Balla: Asnjë tolerim që mund të cenojë sigurinë e ndeshjes


Kur na ndajnë pak orë nga finalja e parakohshme mes Shqipërisë dhe Çekisë për shpresat e kuqezinjve për një kualifikim të mundshëm, ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Në fokus të takimit ishin masat për mbarëvajtjen e ndeshjes së rëndësishme për Kombëtaren shqiptare.

Ministri Balla kërkoi të mos ketë asnjë tolerim që mund të cenojë sigurinë e ndeshjes.

“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës”, u shpreh fillimisht zyrtari shqiptar.

Sipas tij, policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria.

“Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike. Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF-ja na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive”, kërkoi Balla.

Ai theksoi gjatë fjalës së tij edhe një adresim për sportdashësit dhe tifo-grupet, se nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike.

“Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF-në. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit”, theksoi ministri shqiptar.

Zyrtari bëri me dije se për ndeshjen do të kemi një numër rekord punonjësish policie të angazhuar për sigurinë publike.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka u shpreh se qoftë Policia apo Federata nuk mund t’ia dalë pa bashkëpunimin e atyre që do jenë në stadium.

“Uroj të jetë festë me rezultat”, theksoi Duka, duke falënderuar ministrin Balla dhe drejtuesit e Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore