Lajme

Ndalohet prodhimi i shtatë reaktorëve bërthamorë deri në vitin 2025


Autoritetet zyrtare në Belgjikë kanë vendosur se do të ndërpresin prodhimin e të shtatë reaktorëve të saj bërthamorë, deri në vitin 2025.

Burimet zyrtare të qeverisë sqarojnë se nuk do ta ndalojnë tërësisht procesin për teknologjinë bërthamore të gjeneratës së re.

Nga njoftimi zyrtar u bë e ditur se marrëveshja e arritur kishte të bënte me “investime në reaktorë të vegjël modularë rreth 100 milionë euro”.

Heqja në mënyrë progresive e energjisë bërthamore është përfshirë në ligjin belg që nga viti 2003.

Data përfundimtare është viti 2025, objektiv që qeveria aktuale u zotua ta përmbushë kur mori detyrën në tetor 2020. Por çështja ka ndikuar në marrëdhëniet mes koalicionit qeverisës shtatëpartiak të të gjelbërve, socialistëve dhe liberalëve, drejtuar nga kryeministri Alexander De Croo.

Partia liberale doli kundër braktisjes së plotë së energjisë bërthamore, strategji e propozuar nga ministri i Energjisë, Tinne Van der Straeten.

Ata thanë se një pjesë e kapacitetit aktual bërthamor të Belgjikës duhet të ruhet, pasi termocentralet e reja me gaz janë shumë ndotës.

Mediat belge raportuan se në takimin ministror u dakordësua për të investuar në “energjitë e rinovueshme dhe neutrale ndaj karbonit”, përfshirë energjinë bërthamore të gjeneratës së re.

Buxheti për investimin në teknologji tashmë është planifikuar, sipas burimeve qeveritare.

Po ashtu, kompromisi ruan “skenarin A” të ministrit të Energjisë dhe “konfirmon mekanizmin e investimit, vendosur për të zëvendësuar energjinë aktuale bërthamore, e cila është e vjetruar”.

Energjia bërthamore ka ndikuar dhe në marrëdhëniet e shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ndërsa blloku grindet për përfshirjen e saj dhe gazit natyror në listën e bllokut të burimeve të qëndrueshme të energjisë të pranueshme për investime.

Lista – e njohur si “taksonomia” e BE-së – ka qëllim promovimin e energjisë së gjelbër, si dhe lehtësimin e kalimit në një të ardhme neutrale ndaj karbonit.

Komisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton, të hënën, tha se, priste që lista të përfshijë energjinë bërthamore dhe gazin natyror në janar.

Por, sipas kritikëve, energjia bërthamore nuk është miqësore me klimën dhe duhet të hiqet gradualisht në favor të burimeve të tjera të energjisë.

Marrë nga Euronews, përshtatur për Albanian Post. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore