Muzikë

Ndahet nga jeta në moshën 25 vjeçe, DJ – Erin Godanci


DJ Erin Godanci

Të mërkurën e 12 janarit pritet të zhvillohet ceremonia e varrimit të Erin Godancit – i cili ndërroi jetë në moshën 25 vjeçe, ndërsa ishte mes DJ-ve më të famshëm në Kosovë.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e Erinit, ndërsa kanë thënë se funerali do të zhvillohet nga ora 14:30 në varrezat e lagjes Arbëria në kryeqytet.

“Miq dhe familjar. Me dhimbje të thellë ju njoftojmë, që sot më 11.01.2022 , ndërroi jetë më i dashuri ynë, djali jonë Erin Godanci. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër më datën 12.01.2022 në varrezat e Dragodanit në ora 14:30. Allahu te shpërbleftë me xhenet djali im”, ka shkruar në një postim në Facebook babai i të ndjerit.

Tashmë i ndjeri, DJ Erin Godanci, kishte fituar popullaritetin e tij në Kosovë dhe me gjerë, falë muzikës që luante, ndërkohë që “playlistat” e tij përfshinin më tepër zhanre të elektronike.

Shkaqet apo detajet rreth vdekjes së Godancit, nuk janë bërë të ditura akoma për publikun.

Pos miqve dhe familjarëve, menjëherë pas kumtimit të lajmit për ndarjen nga jeta të DJ të njohur kosovar, ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke i dërguar familjes Godanci, një telegram ngushëllimi.

“E nderuar familje Godanci, me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta në moshë shumë të re, të muzicientit Erin Godanci. Ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, në këto ditë shumë të vështira për ju”.

“Erin Godanci do të kujtohet gjithmonë për pozitivitetin, dashurinë për punën që bënte dhe edukatën e lartë që e përqonte me gjithë komunitetin dhe njerëzit përreth. Skenës muzikore dhe shoqërisë sonë do ti mungojnë shumë performancat e tij”, shkroi Hajrulla Çeku,
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të MKRS-së.

Rreth vdekjes së 25-vjeçarit, ka reaguar edhe ish kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Moti s’jom shoku ma shumë se me lajmin për Erinin. Definicioni i vërtetë i battery charger. Kanë mjaftu pesë sekonda shkëmbim me të dhe një buzëqeshje dhe ta ka transferu ca energji pozitive. U prehsh në paqe Erin Godanci! Ke me i mungu Prishtinës!”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Mes tjerash, Godanci ka qenë edhe inxhinier i softuerëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore