Muzikë

Ndahen Daft Punk


Dyshja franceze Daft Punk i ka dhënë fund bashkëpunimit pas 28 vitesh në skenë. Ata bënë me dije këtë vendim nëpërmjet një videoje të titulluar “Epilogue”. Lajmin e konfirmoi agjencia Pitchfork.

Thomas Bangalter dhe Guy-Manuel de Homem-Christo formuan Daft Punk në Paris në vitin 1993. Ata ndryshuan tërësisht industrinë muzikore. Muzika elektronike franceze mori një tjetër imazh në sytë e botës falë tyre.

Ata nuk u shfaqën thuajse kurrë në publik me fytyrat e tyre të vërteta. Helmetat futuristike me forma dhe dizajne të ndryshme u bënë simbol në botën muzikore.

Punk-ët kanë sjellë në jetë hite ndërkombëtare si One More Time, Around the World dhe Da funk.

Viti 2014 shënoi suksesin e tyre më të padiskutueshëm në 28 vjet karrierë. Ata zotëruan natën e çmimeve Grammy. Albumi i tyre Random Access Memories ishte ndër më të suksesshmit, duke rrëmbyer çdo kategori ku ishte kandiduar.

Get Lucky, bashkëpunimi me Pharrell Williams, u cilësua si një ndër këngët më të mira të 2014-ës.

Pas Get Lucky, ata zunë vendin e parë në Billboard në 2016-ën, me këngën Starboy, në bashkëpunim me The Weeknd.

Dyshja franceze kishte kohë që nuk ishte e pranishme në skenën ndërkombëtare. Tashmë dyshja i mbetet historisë muzikore, mbi të gjitha asaj elektronike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore