Përballje

NBA/ Lakers rikthehen te suksesi, Warriors shënojnë fitore të thellë ndaj Mavericks


Los Angeles Lakers vs Brooklyn Nets

Orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës (me kohën tonë lokale) u zhvilluan edhe nëntë ndeshje në ligën amerikane të basketbollit, NBA.

Los Angeles Lakers janë rikthyer te suksesi, teksa mposhtën në udhëtim skuadrën e Brooklyn Nets me rezultat 96:106.

Basketbollisti i Brooklyn Nets, James Harden, ishte ylli i mbrëmjes i cili arriti “triple-duble”, duke shënuar 33 pikë, 12 kërcime e 11 asistime.

Ndërsa te skuadra mike u dallua i zakonshmi LeBron James, i cili shënoi 33 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime.

Golden State Warriors vs Dallas Mavericks

Ndërkohë, Golden State Warriors po vazhdon me formë të mirë, të cilët morën fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit.

Warriors këtë radhë mposhtën në shtëpi Dallas Mavericks me rezultat të thellë, 130:92.

Më i miri i kësaj sfide ishte basketbollisti i Mavericks, Luka Doncic, i cili shënoi 25 pikë e tetë kërcime.

Ndërsa te Warriors si zakonisht u dallua Stephen Curry me 18 pikë, nëntë kërcime e shtatë asistime, derisa edhe Jonathan Kuminga kontribuoi me 22 pikë e pesë kërcime.

Philadelphia 76ers vs New Orleans Pelicans

Fitore në këtë xhiro shënoi edhe Philadelphia 76ers, të cilët mposhtën New Orleans Pelicans me rezultat 117:107.

Joel Embiid ishte më i miri në këtë sfidë, duke shënuar 42 pikë, 14 kërcime e katër asistime, derisa lojë të mirë shfaqi edhe Tobias Harris me 33 pikë e 11 kërcime.

Ndërkohë, fitorja më e thellë në këtë xhiro u arrit në “TD Garden”, aty ku Boston Celtics deklasoi Sacramento Kings, duke e mposhtur me rezultat të thellë 128:75.

Boston Celtics vs Sacramento Kings

Jayson Tatum ishte ylli i mbrëmjes në këtë sfidë, i cili realizoi 36 pikë, derisa lojë të mirë shfaqi edhe Jaylen Brown me 30 pikë e 10 kërcime.

Rezultatet e ndeshjeve tjera:

Detroit Pistons 105 – 110 Denver Nuggets

Toronto Raptors 125 – 113 Charlotte Hornets

Washington Wizards 115 – 116 Los Angeles Clippers

Houston Rockets 104 – 134 San Antonio Spurs

Portland Trail Blazers 107 – 109 Minnesota Timberëolves

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore