Lajme

NATO i kthen Rusisë përgjigje me shkrim, gati ka vetëm 5 mijë trupa në rast përshkallëzimi


“E kemi ftuar Rusinë dhe gjithë aleatët e NATO-s, për të mbajtur diskutime e për të gjetur zgjidhje politike. Por, gjithçka varet nga vullneti i gjithsecilit”.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO, Jens Stoltenberg, ka deklaruar në një prezantim për mediat se një përgjigje me shkrim i është dërguar Rusisë mbi zhvillimet e fundit në kufirin me Ukrainën.

Sipas Stoltenberg, zgjidhja politike dhe paqësore, është ajo çfarë i shkon për shkak NATO-s. Nga ana e aleancës nuk kërkohet një konfrontim direkt dhe zgjidhja e tillë, është opsioni më i mirë për të gjithë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Pavarësisht kësaj, vendet anëtare të NATO-s janë gati nëse forcat ruse nuk sprapsen dhe konflikti përshkallëzohen. Por, ndryshe nga 100 mijë trupat që Moska ka vendosur në kufi, NATO-ja ka vetëm 5 mijë ushtarë të gatshëm, për t’u nisur menjëherë në luftë.

Sakaq, sipas Stoltenberg, një grup tjetër është në gatishmëri po ashtu, në rast rreziku.

Sekretari i Përgjithshëm ka nënvizuar faktin se të gjithë aleatët, janë në një linjë me propozimet që i janë dhënë Rusisë. Këtu, përfshihet edhe Gjermania, e cila ka mbetur në heshtje sa i përket çështjes.

Jens Stoltenberg

Ndër propozimet, flitet edhe për të ardhmen e Ukrainës në NATO.

Kremlini, kërkon që të garantohet se Kievi nuk do të jetë pjesë e aleancës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme. Mirëpo, nga ana tjetër, një gjë e tillë nuk është e negociueshme mbi parimin se çdo vend merr vendimet e veta.

“Ne jemi të gatshëm t’i dëgjojmë shqetësimet e rusëve”, shkruhet në deklaratë. “Por, nga ana tjetër, nuk do të bëjmë kompromis me asnjë kërkesë që bie ndesh me të drejtat e aleatëve”.

Gjithsesi, këto propozime nuk i shkojnë shumë për shtat Rusisë, me sa është lënë të kuptohet nga Moska.

Kërkesat e tyre janë të larta, duke përfshirë largimin e trupave të NATO-s nga vendet kufitare me të dhe mohimin e anëtarësisë në aleancë për vende si Ukraina apo Gjeorgjia – ku edhe Kremlini ka pretendime territoriale.

Teksa tensioni i situatës ka mbërritur në pikun më të lartë, duke dhënë hijet e një lufte të mundshme. Luftë, e cila nëse nis, mund të marrë përmasa të asaj të Dytë Botërore, me shumë vende të përfshira në fushëbetejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore