Lajme

NASA nis epokën e re të eksplorimit hënor


Agjencia amerikane hapësinore, NASA, është gati të nisë epokën e re të eksplorimit hënor, rreth gjashtë dekada pas zbritjes së parë në satelitin natyror të Tokës.

Misioni i ri, nën siglën e projektit Artemis, do të marrë jetë mesditën e të hënës së 29 gushtit, kur një kapsulë testuese, e quajtur Orion, do të niset nga Toka me qëllim vrojtimin e perimetrit hënor.

Me një lëvizje eliptike rreth Hënës, Orion pritet të mbledhë të dhëna me shumë vlerë, për t’u kthyer më pas në planetin blu.

Pavarësisht faktit se momentalisht, ky projekt nuk imponon edhe pjesëmarrjen direkte të njerëzve brenda anijes kozmike, pritet që në vitin 2024, misionet e NASA-s të jenë më të ndërlikuara dhe të përfshijnë edhe ekuipazhe astronautësh në to.

“Gjithçka po bëjmë me këtë mision, Artemis I, është të shohim se çfarë shkon mirë e çfarë shkon keq. Kështu, do të kemi mundësi të përmirësojmë gjithë teknikalitetet dhe të minimizojmë rrezikun për misionin e ardhshëm, me njerëz në bord, Artemis II”.

Kështu shpjegoi astronauti Randy Bresnik, sa i përket misionit.

Kushtet atmosferike do të jenë një sfidë më vete, për nisjen që do të kryhet nga Florida. Megjithatë, shanset janë 80% të favorshme, se nisje do të ketë.

Disa dritare të tjera do të hapen në javët e ardhshme, por e preferueshme për vetë agjencinë është opsioni i nisjes së menjëhershme, për të mos humbur kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore