Sport

Napoli mposht Fiorentina-n dhe i afrohet kualifikimit në Ligën e Kampionëve


Napoli ka arritur të triumfojë në “Artemio Franchi” përballë vendasve të Fiorentina-s, në javën e 37-të të Serisë A.

Napoli arriti të dalë me tri pikët nga Firence në atë fitore 0-2. Pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë erdhen dhe golat e fitores.

Në minutën e 53, VAR dha penallti në favor të Napoli-t, e cila u fitua nga Amir Rrahmani. Lorenzo Insigne mori përsipër ekzekutimin e 11 metërshit të cilin e priti Pietro Terracciano, por topi kthehet përsëri te kapiteni, që kësaj radhe me portën e boshatisur e pati të lehte të shënonte..

Goli i dytë i Napoli-t ishte si pasojë e autogolit të Lorenzo Venuti-t, në minutën e 67 të takimit, që vulosi dhe shifrat përfundimtare të takimit.

Me fitoren e arriur, Napoli ngjitet në vendin e tretë me 76 pikë, dy pikë më pak se Atalanta e vendit të dytë dhe një pikë më shumë se Milan-i dhe Juventus-i që janë më poshtë në renditje. Fiorentina qëndron në vendin e 13 me 39 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore