Shqipëria

Nano në terren: Zero tolerancë për çdo punonjës policie që nuk është i denjë


Në një prononcim, Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano ndodhet në terren nga ku u shpreh se është i vendosur për zbatimin e ligjit dhe do të ketë zero tolerancë për abuzuesit me detyrën, qoftë ky punonjës policie.

“Jam shumë i vendosur, siç e shikoni edhe sot, po e drejtoj vetë operacionin në Dhërmi, për shoqërimin, bllokimin dhe verifikimin e të gjitha mjeteve lundruese, dokumentacionin e tyre dhe procedurës që ata ndjekin për të dalë në det. Ashtu siç jam i vendosur për tolerancë zero ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe rrezikimit të jetës së pushuesve”.

“Jam i vendosur dhe me tolerancë zero të ndëshkoj çdo punonjës policie i cili nuk është i denjë, shpërdoron besimin, abuzon me detyrën dhe ka neglizhencë në kryerjen e detyrës”, paralajmëroi Nano, vartësit e tij.

Operacioni ka për qëllim kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese, verifikimin nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik për dokumentacionin e mjeteve dhe nëse kanë lidhje me raste të pastrimit të produkteve të veprës penale.

Gjithashtu pritet të kryhet edhe verifikimin nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe nga Interpoli, nëse këto mjete rezultojnë ose jo të vjedhura jashtë vendit.

“Ndihmës/specialistët e Policimit në Komunitet po iu çojnë njoftime pronarëve të këtyre mjeteve, për t’u paraqitur, duke qenë se operacioni do të vijojë deri në shoqërimin e të gjitha mjeteve lundruese, me qëllim verifikimin e tyre”.

Nano sqaroi opinionin publik që edhe pse autori i ngjarjes ishte punonjës i Policisë, veprimi i tij “nuk mund të përbaltë punën, mundin dhe djersën e mijëra burrave dhe grave të Policisë së Shtetit”.

“Policët punojnë ditë dhe natë për të siguruar një ambient sa më të qetë dhe sa më të sigurtë për pushuesit, gjatë sezonit turistik veror”, tha Nano.

Kujtojmë se të martën e 2 shkurtit, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit në Himarë, shtetasi A.T., me detyrë shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Elbasani, cili ishte me pushime, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë, punonjësi i Policisë së Shtetit ka kryer manovrime të pakujdesshme dhe ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore