Kosova

Nagavci: Procesi mësimor nuk po zhvillohet në Veri


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, në një konferencë për media ka deklaruar se nuk kanë raport zyrtar për shkollat në Veri.

Mirëpo, që janë informuar që në disa prej tyre nuk është zhvilluar mësim.

“Jemi të informuar për situatën në Veri edhe në diskutimet që i kemi bërë në Qeveri. Ne nuk kemi raport zyrtar për shkollat atje, por kemi informata që në disa shkolla nuk është zhvilluar mësimi, por për shkak të punës së trashëguar përkundër angazhimit tonë që t’i përfshijmë këto institucione ato kanë vazhduar të bëjnë rezistencën”, ka deklaruar Nagavci.

Sipas saj shkollat në Veri, “gjithë këto vite nuk kanë qenë të përfshirë në arsim” por janë përfshirë vetëm “kur kanë përfituar diçka”.

Megjithatë, ajo ka pohuar se kompensimi i orëve të humbura është obligim i institucioneve arsimore.

“Kompensimi i orëve të humbura është obligim i shkollave të sigurohet që të mos humbet asnjë orë, është e ditur që mësimi nuk është zhvilluar, e kemi diskutuar disa herë e kemi përmendur që kjo ka ndodhur edhe si pasojë interferimeve politike nga prindërit”.

“Shkollat duhet të jenë të angazhuar që nxënësit të mos humbasin asnjë kapitull, atyre ju takon si përgjegjësi”.

Edhe në muajin dhjetor kur ishin vendosur barrikadat në Veri, shkollat fillore dhe të mesme në katër komunat veriore ishin mbyllur për arsye të sigurisë.

Dita e dytë që serbët po protestojnë

Është dita e dytë me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Kërkese e tyre po ashtu është që të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kurse, pesë persona janë arrestuar pas përleshjeve në Zveçan.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Policia e Kosovës, të martën situatën në komunat veriore e ka përshkruar “si të brishtë”, por që nga ky institucion i sigurisë është thënë se po vazhdohet të punohet për stabilizimin e situatës dhe ruajtjen e sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore