Lajme

Nagavci: Në 2024-ën synojmë që t’i kemi tekstet shkollore të përmirësuara


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, në konferencën e fundit për 2023, ka deklaruar se synojnë që në vitin 2024 t’i kenë tekstet shkollore të përmirësuar.

Nagavci, në një konferencë për media ka deklaruar se tekstet aktuale vazhdojnë të kenë shumë mangësi.

“Për fat të keq akoma përmbajtjet në tekstet mësimore ofrojnë mësim të dekonstalizuar dhe teorik, në shumicën e teksteve janë gjetur dhe vazhdojnë të gjenden gabime drejtshkrimore. Raportet e detajuar për rishikimin e të gjitha teksteve do të ndahen me të gjitha shtëpitë botuese, synimi ynë është që vitin e ardhshëm t’i kemi këto tekste shkollore të përmirësuara”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo tutje ka pasur kërkesë ndaj komunave që buxhetin e ndarë nga Qeveria e Kosovës, ta shfrytëzojnë në mënyrë të përgjegjshme.

“Presim nga komunat që buxheti të shfrytëzohet në mënyrë të përgjegjshme, pasi që kemi raste kur buxheti nuk është përdorur për atë që është kërkuar”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Ndërsa ka deklaruar se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.

“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.

Duke besuar që mësimdhënësit nuk janë kundër këtij testimi.

“Unë besoj që mësimdhënësit nuk janë kundër kësaj, e do të jenë të suksesshëm në këtë. E unë nuk besoj që është mirë që SBASHK-u të dalë në krahë të mësimdhënësve që mund të kenë probleme”.

Nga Ministria e Arsimit kishin thënë se do të shpërndajnë edhe doracak pune po në formë elektronike për mësimdhënësit, për t`u shërbyer gjatë kohës që do të mungojnë tekstet shkollore.

Ndryshimi i librave krahas gabimeve të shumta pason reformat e iniciuara nga dikasteri i arsimit në vitin 2020 ku në fokus është vendosur nxitja e mendimit kritik te nxënësit, si dhe angazhimi në projekte praktike.

Megjithatë, nga ekspertët e arsimit, prindërit dhe mësuesit ky koncept është thënë se nuk përputhet me mundësitë dhe kushtet që kanë shkollat pasi një pjesë e madhe e shkollave përballen me mungesën e kushteve elementare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore