Lajme

Nagavci: Disa nga shkollat kanë filluar procesin mësimor


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, Arbërie Nagavci konsideron se mësimi është duke u zhvilluar normalisht në disa shkolla, përfshirë edhe në kryeqytet.

Nagavci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se mësimin e ka parë nga afër gjatë vizitave në shkolla.

“Me kryeministrin ishim në Qendrën e Kompetencës ‘Shtjefën Gjeçovi’, në Prishtinë ku procesi mësimor është duke u zhvilluar normalisht. Po ashtu, kam vizituar shkollën ‘Faik Konica’ në kryeqytet ku disa mësimdhënës janë duke mbajtur mësimin. Zëvëndësministri, Dukagjin Pupovci ka vizituar Qendrën burimore ‘Përparimi’ në të cilën gjithashtu ka nisur procesi mësimor”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo shtoi se mësimi po mbahet në disa shkolla të ndryshme.

“Mësimi po mbahet në disa klasa e shkolla të ndryshme si Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, Deçan, Gjilan, Kamenicë,Gjakovë, Ferizaj, Shtime etj”.

Ministrja apeloi sërish tek mësimdhënësit që të kthehen në shkolla.

“Si ministre e Arsimit edhe njëherë ftoj të gjithë mësimdhënësit që të kthehen në shkolla pranë nxënësve të tyre e të fillojnë mësimin. Që nga fillimi i mandatit jemi duke u angazhuar shumë që të përmirësojmë kushtet e punës në shkolla”.

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar të enjten se nuk ka parë as dëshirë e as vullnet nga Qeveria që të bisedojë me gresvistët.

“Ne nuk po shkelim të drejta të askujt por nuk është mirë të tentohet në opinion se po shkelen të drejtat e dikujt. Grevën e kemi përdorur pas 9 muajve, qeveria s’e ka bërë asnjë angazhim por vetëm me fyerje”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me ekzekutivin por vetëm nëse do të merrte ftesë nga ta.

Ndryshe, 25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Më 5 shtator, Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore