Muzikë

“Muzika është ajo që pajtohet me ne”


Ilustrim

Muzika është forma e artit që paraqet problematikat më të mëdha filozofike.

Ndryshe, themi, nga piktura, muzika paraqet instanca të shumta (përfshirë edhe performanca prej më virtuozeve) të cilat nuk nuk kufizohen vetëm në veprën muzikore.

Nëse në një pikturë, objekti artistik është objekt fizik, pra i prekshëm dhe vizuel, muzika shkon përtej kuptimit dhe përmbajtjes së qartë semantike ose të interpretueshme, dhe është imune ndaj një përkfuzimi të qartë, statik, fikse, e cila mund të arrestohet në lëvizjen e saj.

Ajo është rrjedhmshmëri, fluide, dhe vetëm në lëngshmërinë e saj rrjedhëse, mirëmban esencialitetin muzikor.

Një gjë që mbetet qendrore në muzikë, është aftësia e saj për të përmbajtur dhe për të përçuar emocion, dhe në të njëjtën kohë duke qenë abstraksion.

Muzika në rend të parë është përkufizuar si zë i organizuar. Mirëpo, kjo nuk është që shpjegon edhe aq, marrë parasysh faktin se, duke qenë definicionalisht shumë e përgjithshme, por edhe faktin se ka shumë instanca të zërave të organizuar në botë të cilat s’janë muzikë ose s’përbëjnë muzikë, si të folurit e organizuar njerëzor, zërat e kafshëve, dhe makineritë e ndryshme.

Përtej kësaj, themi se muzika për t’u cilësuar si muzikë ajo duhet të përmbajë (in)tonalitet, ritëm, ose cilësi tjera që përbëjnë përvojë themelore muzikore dhe estetike.

“Çdo ngjarje zënore qëllimisht e prodhuar ose e organizuar për t’u dëgjuar dhe/ose të ketë cilësi themelore muzikore si intonim dhe ritëm, e cila dëgjohet për atë arsye”, kështu e definon muzikën filozofi Andrew Kania.

Nëse këtij përshkrimi teknik të muzikës i shtojmë edhe atë se muzika përmban dhe përçon emocion, dhe se emocioni presupozon një agjent psikologjik-emocional, atëherë futemi në terrenin përmajtësor të muzikës. Te esenca e saj. Te muzika dhe njeriu.

Filozofi i madh gjerman Leibniz, muzikën e definonte si aftësia e pavetëdijshme aritmetike e shpirtit njerëzor i cili nuk është në dijeni se po numëron. Mirëpo, edhe kjo është një shpegim krejtësisht matematikor, dhe nuk arrinë të mbërthej aspektin emocional të muzikës.

Njeriu, duke qenë agjent emocional, përjeton dhe është i ndjeshëm ndaj afekteve jetësore. Shpesh ajo që ndjehet tejkalon shprehshmërinë gjuhësore, dhe për-kthehet në muzikë. Muzika duke qenë pasqyre e drejtpërdrejt dhe ndërmjetësuese e ndjenjave të mëdha si lumturia e dhimbja, gëzimi e pikëllimi.

Muzika, që po tematizohet këtu, është gjëja më e thjeshtë, dhe pikërisht kjo gjë e bën atë më komplikuarën.

Urtia tradicionale thotë se, aty ku mbarojnë fjalët, nis muzika. Dhe kjo është një e vërtetë prej më të vërtetave muzikore, por edhe të artit në përgjithësi.

Ndoshta sepse fjalët kufizohen në atë që mund të thuhet, dhe siç shprehet edhe filozofi i madh austriak, Ludwig Wittgenstein, “për atë që s’mund të flitet, duhet heshtur”, ose siç thotë Viktor Hygo, muzika është “ajo për të cilën s’kemi fjalë, por edhe për të cilën s’mund të heshtim”.

Kompozitori i madh francez, Claude Debussy, thoshte se muzika s’ka teori. Duhet vetëm dëgjuar. Ligji i saj është kënaqësia, dhe thoshte se për nga pasioni për muzikën, donte ta çlironte nga shterrpësia tradicionale e saj, dhe ta bëjë ‘art në ajr’, të pakufishme për nga elementet e saj.

Në epokën tonë shkencore, ne edhe masim efektin që ka muzika në tru, reagimet që ngjall në mendime, analizimet, në përmirësimin e operacioneve mendore, në stimulimin e mendimit kreativ, dhe në ngjalljen e aktivitetit dhe potencialitet të intelektit njerëzor.

Pra muzika, nuk ndalet vetëm në kënaqshmërinë ose pikuelleshmërinë melodike, ajo në njëfarë mënyre, integrohet dhe rrënjësohet në psihën njerëzore, duke u bërë kështu shoqëruesi më i madh shpirtëror dhe emocional i njeriut.

Muzika, është vetma gjë që pajtohet me ne dhe asaj që i themi muzikë, i themi sepse pajtohemi me të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore