Lajme

Muzika dhe shkrimi, shpëtim për vokalisten Michelle Zauner


Dy vitet e fundit kanë qenë një vorbull për vokalisten kryesore të Japanese Breakfast, Michelle Zauner.

Zauner ka rrëfyer se suksesi i saj i fundit ka qenë “surreal dhe sigurisht vërtetues”, teksa ka treguar se shumë nga puna e saj është formësuar nga pikëllimi i humbjes së nënës së saj.

Në vitin 2014, nëna e saj u diagnostikua me kancer. Ndërroi jetë vetëm disa muaj më vonë.

Teksa rritej, 33-vjeçarja e shihte nënën e saj koreane si shumë kritike dhe gjykuese, duke penguar shpesh pavarësinë, krijimtarinë dhe pasionin e saj.

Tani, e pranon se ishte mënyra se si ajo e shprehte dashurinë për vajzën e saj.

Vdekja e saj e papritur e la Zauner-in “të grabitur nga një kohë kaq e bukur” kur të dyja mund të ishin lidhur shumë me njëra-tjetrën si të rritura.

“Duke u rritur në prani të njerëzve të ndryshëm, papritmas humba atë që më lidhte me atë pjesë të vetes, befas u ndjeva në rrezik, nuk e kisha përjetuar kurrë më parë këtë”, ka treguar ajo.

Menjëherë pas vdekjes së saj, ajo filloi të gjente rehati duke blerë në H Marts, një zinxhir dyqanesh ushqimore të specializuar në ushqimin aziatik.

Në korridoret e tij, ku gjenden shumë ushqime të dashura aziatike, ajo u përmbyt me kujtimet e nënës së saj dhe përvojat që ndanë përpara se të diagnostikohej.

Shkrimi i “Crying in H Mart” ishte mënyra e Zauner për të kuptuar çka kishte ndodhur dhe për t’u rilidhur me trashëgiminë e saj koreane.

“Më sjell ngushëllim të madh kur kujtimet për nënën time më bëjnë të buzëqesh, por gjithashtu më sjell ngushëllim të madh që unë ende qaj për të”, ka thënë ajo.

Për të, e gjitha është “një ndjenjë intensive”.

Pas publikimit të kujtimeve të saj, Zauner publikoi albumin e tretë të Japanese Breakfast “Jubilee” në vitin 2021.

“Ishte koha për të filluar një kapitull të ri në krijimtari”, ka shpjeguar Zauner.

“Doja të shkruaja një album për t’i dhënë vetes leje për të ndjerë gëzim, më në fund duke lejuar gëzimin në jetën time”, ka vijuar.

Zauner i pëlqen të mendojë se nëna e saj do të ishte krenare për të.

Tani, ajo planifikon të shkojë në Korenë e Jugut, për t’u lidhur me kulturën dhe për të mësuar gjuhën amtare. Ajo po mendon edhe për projektin e radhës.

“Mendoj se është një dëshirë shumë e natyrshme të duash të dokumentosh të tashmen dhe mendoj se kjo është një ide vërtet magjepsëse për të cilën shumë njerëz janë të interesuar”, ka thënë ajo.

“Ky është interesi im për të shkruar librin tim të ardhshëm”, ka zbuluar vokalistja.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore