Lajme

Muzeu tajvanez në përgatitje për t’iu përgjigjur një “kohe lufte”


Frika ndaj një sulmi rus në Lviv bëri që stafi i Muzeut Kombëtar të qytetit kulturor të fshihte me shpejtësi mijëra nga thesaret.

Më shumë se pesë mijë milje larg tij, një tjetër institucion i njohur globalisht po përgatitet për kërcënimin e një pushtimi të mundshëm.

Muzeu Kombëtar i Pallatit të Tajvanit, i cili krenohet me një nga koleksionet më të mira në botë të relikeve perandorake kineze, po shqyrton në mënyrë aktive se si do të mbronte thesaret e tij nëse Pekini do të fillonte një sulm.

Institucioni, me rritjen e presionit ushtarak të Kinës në ishullin e vetëqeverisur, kreu “stërvitjen e parë të reagimit në kohë lufte” me fokus evakuimin e objekteve.

“Qëllimi më i rëndësishëm i këtij ushtrimi është që stafi të dijë se kush po bën çfarë nëse shpërthen lufta dhe si të reagojë”, ka treguar drejtori i muzeut Wu Mi-cha.

Po ashtu institucioni po punon me agjencitë e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit për të përmirësuar planet.

Masa vjen pasi Wu u zbuloi ligjvënësve se nuk ishte në gjendje të mendonte për një vend ideal për të ruajtur reliket historike të muzeut në rast lufte.

Në Kinë, Partia Komuniste në pushtet ka pretenduar prej kohësh Tajvanin si territorin e saj dhe, megjithëse nuk e ka kontrolluar kurrë ishullin, nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së tij me forcë.

Në muajt e fundit, demokracia vetëqeverisëse e 24 milionë njerëzve është përballur me rritjen e pozicioneve ushtarake nga Kina, e cila ka dërguar shpesh avionë luftarakë pranë ishullit.

Forcat Ajrore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, në fund të qershorit, fluturuan 29 avionë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të territorit.

Çka shënon numrin e tretë më të lartë ditor të avionëve gjatë këtij viti.

Mbështetja e heshtur e Kinës për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës ka nxitur spekulime mbi synimet e saj me Tajvanin, duke ngritur pikëpyetje se si mund të reagojë bota nëse ajo nis një sulm.

Shqetësimet për një pushtim të mundshëm kanë shtyrë qeverinë tajvaneze të rrisë gatishmërinë luftarake dhe përgatitjen e kohës së luftës.

Tre institucione të tjera në Tajvan – Muzeu Kombëtar i Tajvanit, Muzeu Kombëtar i Historisë së Tajvanit dhe Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura të Tajvanit – kanë konfirmuar se po hartojnë strategji evakuimi për koleksionet e tyre.

Në stërvitjen e javës së kaluar, gati 180 anëtarë të stafit u mësuan se si t’i përgjigjen skenarëve të ndryshëm, duke përfshirë mënyrën se si të kërkonin ndihmë nga policia ose ushtria nëse objektet e sigurisë dëmtohen dhe objektet sekuestrohen nga forcat armike.

Sakaq, trajnimi special do t’i shtohet stërvitjeve ekzistuese të sigurisë për të rritur aftësinë e përgjithshme të stafit për të mbrojtur koleksionin.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore