Lajme

Mustafi: Vuçiç po përpiqet ta devijojë numrin real të shqiptarëve në Serbi


Ragmi Mustafi

Ragmi Mustafi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se ky i fundit po përpiqet ta devijoj numrin real të shqiptarëve në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë në Serbi.

Mustafi, duke reaguar ndaj deklaratës së Vuçiç’it, se “pas regjistrimit të popullsisë nuk do të dihet sakt numri i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medevegjë po regjistrojnë anëtarët që nuk jetojnë në Serbi”, ka thënë se deklaratat e tilla nuk ndihmojnë në proces të regjistrimit, por nxisin tensione.

Sipas tij kjo deklaratë, madje është parapërgatitje e valës së re të kontestimit të numrit të saktë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Z.President, lexoni kushtet për regjistrim, të informoheni para se të jepni deklarata tendencioze në të cilat sulmoni një komunitet i cili është i shtypur vazhdimisht! Ne jemi shumë më shumë, jemi mbi 100 mijë shqiptarë në Luginë. Kështu do ta thotë edhe regjistrimi i popullsisë në regjistrin zyrtar të Entit të Statistikave Republikane”, ka shkruar Mustafi.

Më tej, Mustafi ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të monitorojnë e të mos lejojnë shtrembërimin e shifrave në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë.

Më 1 tetor në Serbi kishte nisur regjistrimi i popullsisë.

Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, kishin bërë thirrje shqiptarëve të participojnë në censusin në Serbi.

Ragmi Mustafi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, kishte bërë të ditur se regjistrimi do të zgjasë për 1 muaj.

Shqiptarët nga tri komunat në jug të Serbisë, ku jetojnë shumica e shqiptarëve, bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Përfaqësuesit të nacionalitetit shqiptar në këto tri komuna, kanë bojkotuar atë kohë censusin për shkak se formularët e regjistrimit ishin shtypur në cirilik në gjuhën serbe.

Si arsye shtesë, përfaqësuesit e atij komuniteti përmendën problemet e pazgjidhura dhe obligimet e paplotësuara të shtetit ndaj kësaj pjese të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore