Kosova

Musliu pas raportimit të inspektorit të AKI-së: Tensionet në Veri u paralajmëruan me kohë, Qeveria i ka pasur informacionet


Ganimete Musliu

Pas raportimit të inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kryetarja e këtij Komisioni Ganimete Musliu, ka thënë se për Veriun është paralajmëruar destabilizim i situatës më herët.

Musliu, në një konferencë për media ka thënë se si Komision e kanë kryer punën që ju takon, por nuk ka komentuar reagimin e Qeverisë.

“Si Komision për mbikëqyrjen e AKI-së, para disa muajsh e kam paraqitur rrezikun që do të vijmë në këtë gjendje, gjithmonë duke ju referuar fakteve dhe argumenteve dhe raportimeve që i kemi pasë nga terreni”.

“Vetë Agjencia nuk ka rol ekzekutiv, ju e dini që ata mbledhin informata, e njoftojnë kryeministrin, presidenten, për gjendjen e sigurisë kombëtare, pastaj i mbetet ekzekutivit që të menaxhojë me situatën”, është shprehur Musliu.

Për kidnapimin e tre policëve nga Serbia, ajo ka thënë se ka qenë vazhdimisht “e zëshme” si deputete për mostrajtimin e duhur të policëve të Kosovës nga institucionet.

“Si deputete ju i keni përcjell edhe seancat, kam qenë e zëshme, jam e pa kënaqur me trajtimin dhe do të vazhdojë ta ngris këtë çështje, kam propozuar edhe projektligjin për pensionin e parakohshëm, ne e kemi Policinë më të vjetër në rajon”.

Ndërsa ka potencuar se ka propozuar Projektligjin për pensionin e parakohshëm të policëve, duke marrë për bazë që Policia e Kosovës është më vjetra në rajon.

Tutje, Musliu bëri të ditur se janë dakorduar që Shala të ftohet sërish në fillim të muajit korrik në raportim pas përfundimit të raporteve të auditimit.

Për herë të parë Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala, është duke raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Edhe pse hera e parë për Shalën, ky raportim është mbajtur me dyer të mbyllura për media.

Ndryshe, Kujtim Shala e mori këtë pozitë më 21 dhjetor të 2022-së, ndërsa në të kaluarën ai kishte shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kurse AKI-së ai i është bashkangjitur pas dorëheqjes së Burim Ramadanit nga kjo pozitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore