Aplikacione

Musk nuk arrin të bindë skeptikët se mund ta shpëtojë Twitter-in


Elon Musk mendonte se duke e paraqitur veten si shpëtimtar i Twitter-it do të fitonte mbështetje të gjerë për ofertën e tij të blerjes prej 43 miliardë dollarësh.

Ai parashtroi disa pretendime gjithëpërfshirëse për qasjen e pa kërkuar të kësaj jave.

Premtoi se aksionerët do ta “pëlqenin” çmimin që do të ofronte. Do ta kthente faqen në një nga më të rëndësishmet e mediave sociale dhe do të riparonte menaxhimin e saj.

Madje, e bëri ofertën e tij si një përfitim për njerëzimin.

Por pretendimet kishin rënë kryesisht në vesh të shurdhër pasi që më parë aksionerët kishin vendosur të jepnin votën e mosbesimit.

Shfaqja e Musk-ut si aksionari më i madh i Twitter-it i rriti aksionet 38 për qind në fillim të këtij muaji me shpresën se ai do të ishte një katalizator për ndryshim.

Por oferta e tij është ende 26 për qind nën nivelin më të lartë në 12 muaj.

Propozimi i Musk-ut la shumë investitorë të pasigurt se sa serioz ishte ai për t’u ndjekur.

Duke ushqyer skepticizmin, ai doli në skenën e TED-it menjëherë pas ofertës dhe rihapi polemikën e “fondit të siguruar” duke këmbëngulur se i kishte pasur paratë gjatë gjithë kohës.

Dalja publike me një qasje armiqësore për Twitter-in përpara se të kishte financim ose ta diskutonte atë në thellësi me bordin ishte një veprim “shumë i pazakontë” që nuk e bëri më të lehtë për njerëzit të gjykonin qëllimet e tij të vërteta, sipas analistes Ann Lipton.

Drejtuesit e Twitter-it u lanë në pozicionin e përpjekjes për të vlerësuar jo vetëm nëse çmimi që ai po ofronte ishte i drejtë, por edhe nëse ai ishte i gatshëm ta paguante atë.

Pa financim, “është shumë e vështirë të besohet se është”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, përpjekja e Musk-ut për ta mbështjellë ofertën e tij në flamurin e fjalës së lirë, tërhoqi skepticizëm nga shumë ekspertë që kanë punuar për t’i mbajtur platformat më të mëdha të mediave sociale pa gjuhën e urrejtjes dhe keqinformimin.

Ai dëshironte t’i jepte fund sistemit të fshehtë përmes së cilit Twitter-i favorizonte disa tweet-e mbi të tjerët dhe të bënte më pak të ngjarë që përdoruesit të ndaloheshin.

Deklarata tërhoqi duartrokitje me gjysmë zemre nga e djathta republikane, ku ndalimi i përhershëm ndaj Donald Trump-it është kthyer në një simbol të paragjykimit të Silicon Valley.

Por disa vunë në pikëpyetje se sa larg do të ishte në gjendje të shkonte Musk-u për të sfiduar praktikën më të gjerë të moderimit të përmbajtjes.

Midis shumë ekspertëve, pretendimi i tij se Twitter-i po shtypte lirinë e fjalës u hodh poshtë si një pretendim naiv që dështoi të merrte parasysh përpjekjet e viteve për të eliminuar gjuhën e urrejtjes dhe keqinformimin.

Në një lëvizje tjetër që ai pretendoi se do të përmirësonte lirinë e fjalës, ka thënë se do të publikonte algoritmin që përcakton se çfarë shohin përdoruesit në Twitter.

“Të kesh një algoritëm të kutisë së zezë, duke promovuar disa gjëra dhe jo gjëra të tjera, mund të jetë mjaft e rrezikshme”, ka pohuar ai.

Por premtimi për një angazhim më të fortë ndaj fjalës së lirë në Twitter mund të dëmtojë biznesin e kompanisë duke e bërë faqen më pak tërheqëse për reklamuesit e markave, sipas disa ekspertëve.

Dhe se mbështetja në modele të tjera biznesi mund ta zvogëlojë shtrirjen e shërbimit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore