Kosova

Murati ua bartë 60 milionë euro nga të hyrat vetanake komunave


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se ua ka bartur komunave 60 milionë euro të hyra vetanake.

“Bëhet bartja e të hyrave vetanake të komunave. Në pajtim me Nenin 9.6 të Ligjit të Buxhetit, sot kam miratuar bartjen e të hyrave vetanake të komunave në vlerë prej 60 milionë eurove”, ka njoftuar ai në Facebook.

Sipas tij, bartja në këtë formë bëhet për të hyrat vetanake që kanë qenë të alokuara, kurse për pjesën e pa-alokuar, bartja bëhet me vendime të kuvendeve komunale përkatëse.

Ndryshe, javën e kaluar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që t’u barten komunave paratë që u takojnë në kuadër të të hyrave vetanake.

“Në takimin e Kolegjiumit të drejtorëve komunal për buxhet dhe financa në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), u ngrit shqetësimi nga komunat që bartja e të hyrave vetjake, e që kjo shkon në dhjetëra miliona euro, ende nuk është realizuar nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT). Bazuar edhe në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike (LMFPP), të hyrat vetanake të komunave barten në vitin fiskal duke ruajtur strukturën e shpenzimit”, theksoi Ibrahimi.

Ibrahimi pati theksuar se komunat nuk do të mund të realizojnë shumë projekte kapitale, do të shkaktohen vonesa në pagesat ndaj operatorëve ekonomikë e do të dëmtohen komunat në raportet e auditimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore