Lajme

Murati paralajmëron “boom” të investimeve kapitale, Mustafa i PDK-së e akuzon për “manipulim”


Hekuran Murati dhe Arben Mustafa

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se sivjet pritet të ketë një “boom” të investimeve kapitale. Murati ka potencuar se bazuar në raportin vjetor, shihet se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara.

“Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë.  Pas viteve të pandemisë 2020-2021, dhe vitit 2022 kur punëkryesit kishin probleme me koston e materialeve ndërtimore, duket se më në fund viti 2023 ka rikthyer investimet kapitale në binarët e duhur”, ka shkruar Murati në Facebook.

“Lajmi akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi ‘boom’ të investimeve kapitale”.

“Ky rezultat është i mirëpritur pas shumë e shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin trashëguar, me projekte të padizajnuara si duhet dhe pa kryer obligimet e shpronësimit, probleme të cilat për shumicën e projekteve tashmë janë zgjidhur”, shtoi.

Sipas Muratit, deri në vitin 2019, shumica dërrmuese e investimeve kapitale, 150-200 milionë euro në vit, kanë qenë pagesa për vetëm një projekt, atë të autostradës.

“Prandaj nëse merret edhe ky fakt parasysh, i bie që shuma e investuar për shkolla, spitale, kulturë, sport, siguri e ushtri, ka qenë shumë më e vogël sesa që mund të mendohet në shikim të parë”.

Por, koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka potencuar se ta paraqitësh nivelin e investimeve kapitale të vitit 2023 si sukses historik “është një manipulim i paskrupullt” dhe tregon për nevojën dëshpëruese të kësaj qeverie për të gjetur ndonjë rezultat që mund t’ia shesin publikut si pozitiv.

“Fatkeqësisht për Kosovën, rezultate të vërteta pozitive nuk po mund të gjejnë, sepse nuk e kanë asnjë. Vlera e shpenzimeve kapitale e vitit 2023 është e ngjashme me nivelin e shpenzimeve kapitale të vitit 2012, kur buxheti i Kosovës ka qenë sa gjysma e atij të vitit 2023”.

“Nëse e marrim parasysh inflacionin prej rreth 30 për qind që nga viti 2012, atëherë e kuptojmë se investimet kapitale të vitit 2023 madje vlejnë më pak se ato të vitit 2012 për rreth 30% në terma real”.

Tutje, Mustafa ka shtuar se në vitin 2012, 38.5 për qind e buxhetit shkonte për investime kapitale të cilat janë të domosdoshme për zhvillim e mirëqenie, ndërsa në vitin 2023 investimet kapitale përfaqësojnë më pak se 20 për qind të gjithsej shpenzimeve.

“Kjo pra është rruga kah po na çon kjo qeveri. Taksat e qytetarëve dhe bizneseve nuk po i shfrytëzojnë për zhvillim, por për të financuar skema të ndryshme populiste që në Kosovë po lënë pak e hiq gjurmë, ndërsa po e financojnë importin nga vendet tjera”.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar duke e quajtur Muratin, “Ministër propaganda”.

“Prapë me shifra të pasakta. Edhe një herë sipas ministrisë që ti drejton – ministrisë së financave, investimet kapitale të nivelit qendror në vitin 2023 janë të njëjta me vitin 2017 – 349 milionë euro, vetëm se në vitin 2017 buxheti i Kosovës ka qenë 1.8 miliardë euro e në vitin 2023 buxheti ishte 2.923 miliardë euro dhe inflacioni në 3 vite të qeverisë tuaj është 23 për qind”, shkroi ajo në Facebook.

“Po krenohesh me investimet kapitale të komunave, të cilat në vitin 2023 janë 205 milionë euro dhe nga 2017 janë dyfishuar, por ju për komuna asnjë meritë nuk e keni, se veç pengesa ju ke bë si me bllokim të mjeteve vetanake si me tatim në pronë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore