Lajme

Murati: Paga mesatare në sektorin publik sa dyfishi i asaj në sektorin privat


Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, deklaroi se paga mesatare në sektorin publik është gati dyfish sa ajo në sektorin privat.

Këtë deklaratë Murati e bëri gjatë mbledhjes në Komisionin për Buxhet.

“Në vitin 2021 ka qenë 612 euro paga mesatare, në vitin 2022 është 620 ndërkaq në vitin 2023 pritet të jetë 730 euro. Nuk mund të flasim për paga të padinjitetshme, përkundrazi nëse e krahasojmë me sektorin privat, në sektorin privat paga mesatare për vitin 2021 ka qenë 490 euro”, ka thënë ai.

Thirrje që ekzekutivi të merret më shumë më sektorin privat, ka kërkuar deputeti i mazhorancës, Visar Korenica.

Sipas tij, punëtorët e sektorit privat janë ata që janë duke emigruar më shumë nga vendi.

“Ka 10 vite që po e presim ligjin për paga. Shqetësimi im kryesor është sektori privat. Është një lloj stabiliteti për një vend punë në sektorin publik 200-300 vetë. Në sektorin privat po shohim që dëshirojnë që të largohen nga vendi i punës për shkaqe të ndryshme. Unë kisha dashur që pas këtij ligji fuqishëm të angazhohemi karshi sektorit privat”.

“Njerëzit që kërkojnë viza punë janë kryesisht nga sektori privat. Kërkesa ime është që drejtpërdrejtë të krijojmë kushte të tilla që të ketë kërkesa dhe jo largime. Një punëtor i sektorit publikë siguron 10 paga të një punëtori të sektorit privat”, tha Korenica.

Nga Murati u tha se do të angazhohen në këtë drejtim, teksa i bëri thirrje sektorit privat që t’u rrisin pagat punëtorëve të tyre.

“Është e vërtet kjo që thatë, duhet që të gjejmë balancën. Ideja është që të rritet paga minimale. Ju bëjë thirrje bizneseve që të ju rrisin pagat e punëtorëve. Jemi Qeveria e vetme që numri i të punësuarave në Telekom është zvogëluar, rezultatet marrin kohë deri sa të vërehen”.

Sektori privat në Kosovë është sektori me pagat më të ulëta.

Nga viti 2012 deri në vitin 2021 paga mesatare në sektorin privat është rritur për vetëm 68 euro. Kurse, në sektorin publik, gjatë së njëjtës periudhë paga mesatare është rritur për 176 euro.

Edhe sipas kryetarit të Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, me vendimin për vlerën e koeficientit prej 105 euro janë stimuluar punëtorët që kanë paga prej 700-800 eurosh, e jo ata që kanë paga prej 200 eurosh.

Në një konferencë për media, të premten Azemi u shpreh se punëtorët e sektorit privat janë goditur me pakon për luftimin e inflacionit.

“Ne u goditem haptazi nga pakoja e luftimit te inflacionit, Qeveria duke e ditë qe punëtoret e sektorit kanë 3 herë paga me te vogla, ndau mjete për ata te sektorit publik dhe jo ata privat, punëtoret janë shume të zhgënjyer, neve na qiti në cilësinë e lëmoshës, është stimuluar punëtori që merr 700- 800 euro paga e jo ai që merr 200 euro”, ka thënë Azemi.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe faktin se punëtorët e e sektorit privat kryejnë punë për institucionet publike me paga shumë të ulëta.

“Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, punëtorët që mirëmbajnë këtë zyre, paguhen 180 euro. Kjo është shumë shqetësuese për ne. Këto paga të ulëta vijnë nga Qeveria e Kosovës. Në vend që Qeveria ta motivojë sektorin privat për paga më të larta, është ajo që i paguan kaq pak punëtorët teknikë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore