Lajme

Murati ankohet për blerjen e librave: 14 libra të blihen për një fëmijë që s’dinë shkrim as lexim


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është duke u diskutuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore ka thënë se ka pasoja në sigurimin e librave për një fëmijë që akoma s’dinë shkrim e as lexim.

“Duhet 14 libra të paguhen për një fëmijë që akoma nuk dinë shkrim, lexim sepse akoma janë duke e mësuar alfabetin. Por, kjo ka edhe pasoja fizike që i kemi parë tek shumë fëmijë sepse fëmija i klasës së parë 7 vjeçar detyrohet ta bartë çantën e rëndë me 14 libra në shpinë, vetëm e vetëm që disa shtëpi botuese të fitojnë më shumë të holla”.

Nga këndvështrimi i Muratit, metodat e së kaluarës për furnizim me librat ku prindërit kishin blerë vetë librat kanë qenë më efektive, sesa sigurimi i tyre nga institucionet.

Ndërsa, metoda e Lëvizjes Vetëvendosje për subvencionim të librave pas blerjes së tyre nga ministri u tha se “është më efektive”.

“Edhe nëse ka nevojë i blen librat një herë s’ka nevojë t’i blejnë çdo vit. Sepse nëse i ka tre fëmijë që janë duke u shkolluar kujdeset që librat t’i ruaj e t’i përcjell tek gjeneratat”.

Ai ka sqaruar se interesi më i mirë i fëmijës ka qenë kur është dashur të blihen librat personalisht vendimmarrja ka qenë tek prindi.

“Janë blerë librat e nevojshme me ato pak para që kanë qenë dhe ndoshta janë siguruar nga familjarët. Synimi i juaj mund të ketë qenë fisnik, por mekanzimi me të cilin është realizuar ky synim ka rezultuar me keqpërdorim të buxhetit e me pasoja afatgjatë për fëmijët”.

Murati, kujtoi edhe mënyrën se si librat ishin siguruar në të kaluarën.

“Mua më kujtohet shumica prej nesh me një palë libra e kemi kryer e gjithë familja e ngushtë e gjerë. I gjithë farefisi i ka ndërruar librat nga një gjenerata në tjetrën, mandej jemi kujdesur që t’i ruajmë edhe kopërtinat”.

Ministria e Arsimit në vitin 2024 dështoi në sigurimin e teksteve shkollore për filloristët, Arbërie Nagavci, e cila drejton dikasterin në fjalë kishte uruar 1 shtatorin – fillimin e vitit të ri shkollor – për të gjithë nxënësit e vendit, duke thënë se MASHT-i në koordinim me komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij viti shkollor.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora e dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

Opozita kërkon themelimin e Komisionit Hetimor për librat, Nagavci e mbështetë idenë e tyre

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore