Lajme

Murati: 70 % e qytetarëve janë kundër tërheqjes së Trustit


Hekuran Murati

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kohëve të fundit ka filluar të ndryshojë sentimenti i qytetarëve karshi propozimit për tërheqjen e një shume të caktuar nga fondi i kursimeve pensionale, kjo për shkak se ata kanë filluar të kuptojnë argumentet, se pse një tërheqje e tillë nuk duhet lejuar.

Për Muratin, diku rreth 70 për qind e qytetarëve tashmë janë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

“Ka filluar edhe sentimenti i qytetarëve të ndryshojë, domethënë po i shohin argumentet, po i kuptojnë argumentet, nëse nuk gabojë ishte diku afër 70 për qind e qytetarëve që ishin kundër tërheqjes tash, se problemi ishte se u krijua përshtypja se kur të lejohet tërheqja e Trustit të gjithë do të përfitojnë, ka plot të rri që nuk kanë Trust”, ka theksuar Murati, në një intervistë në KTV.

Murati, beson se iniciativa për tërheqjen nga Trusti nuk e ka mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

“Nuk mendojë që ka mbështetjen e nevojshme as në Kuvend, është fatkeqësi që po luhet me ndjenjat e qytetarëve, pra çdo ditë ki lajmë nëpër portale ‘ja çka ndodhi’, ‘ja do të bëhet’, ‘kur do të bëhet, kur pritet’, qytetarët nuk është dashtë të malltretohen me këso lajme”, ka shtuar ai.

Më tej ministri i Financave duke argumentuar se pse Qeveria e Kosovës është kundër propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës, që qytetarëve t’u mundësohet një tërheqje e re nga Trusti, ka dhënë tri arsye, ku njëra prej tyre është krijimi i një precedenti me anë të së cilës qytetarët do të fillonin të kërkonin tërheqjen e mjeteve nga ky fond çdo vjet.

“Shkaktohet precedent i rrezikshëm sepse me ligj ato fonde janë të qytetarëve në momentin kur bëhen 65 vjeç. Shkaktimi i precedentit më 2020 ka shkaktuar precedent përsëri ku tash vjen situata kur një deputet për një grusht dëshiron të shkatërrojnë një institucion apo edhe një sistem të tërë pensional vetëm që të fitojë popullaritet”, ka argumentuar ai.

Arsyeja e dytë sipas Muratit qëndron në atë se tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk i ndihmon të varfëritë.

E arsyeja e tretë është inflacioni.

“Pasiguria për të ardhmen, zëvendësohet në presion inflacionar. Çdo euro më shumë e hedhur në treg, vetëm do të çonte në ngritje të mëtejme të çmimeve. Kjo është sikur të thuash se po pi alkool se po më dhemb koka që kam pi mbrëmë. Vetëm e përkeqëson situatën”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore