Kosova

Mungesë demokracie dhe përplasje ambiciesh – LVV, një tjetër parti e zakonshme e Kosovës


Problemet e brendshme gjatë zgjedhjeve të Lëvizjes Vetëvendosje që u shfaqën kohëve të fundit janë probleme që i kemi parë edhe në të kaluarën nga parti të tjera dhe ato vijnë kryesisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme dhe ambicieve të pabalancuara në parti, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend për Albanian Post.

Pakënaqësi ka pasur gjithandej – Ferizaj, Prizren, Lipjan e qytete të tjera ku të pakënaqurit kanë treguar se ose nuk u është pranuar kandidatura nga qendra, ose ka pasur mosdurim dhe mungesë tolerance për ata që s’i kanë shkuar përshtati krejtësisht partisë.

Analisti politik, Shemsi Jashari, vlerëson se pakënaqësi të tilla vijnë si rezultat i mungesës së demokracisë brenda partive politike, si dhe tendencës që lidershipi politik i një partie ka në imponimin e qëndrimeve të subjektit, duke mos marrë parasysh mendimin e individëve.

Ai pakënaqësitë e anëtarëve të Vetëvendosjes, i sheh edhe si “përplasje të ambicieve” mes anëtarëve të ardhur rishtas dhe atyre që janë më gjatë pjesë e partisë.

“Rritja e shpejtë e numrit të votuesve dhe anëtarëve të LVV-së, ka shtuar ambiciet e shumë anëtarëve të vjetër dhe të ardhur të ri, dhe gara e brendshme zgjedhore e LVV-së, ka shpërfaqur grupet e caktuara të cilat si duket nuk e kanë mbështetjen nga qendra dhe z.Kurti prandaj edhe ka pakënaqësi dhe largime”, ka thënë Jashari në një prononcim për Albanian Post.

Shemsi Jashari, analist

Jashari mendon se pakënaqësitë vijnë po ashtu si rezultat i ndryshimit të qëndrimeve nga ana e subjektit politik.

“Ndryshimi i qëndrimeve për çka janë thirrur si subjekte kur kanë ardhur në pushtet, kanë shkaktuar pakënaqësi dhe të cilat janë jashtë rregullave të statutit, që patjetër do të çojnë në ndarje të personaliteteve të caktuara”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, mendon se problemi qëndron te “partitë masovike”, siç e quan ai Lëvizjen Vetëvendosje, anëtarët e së cilës “të vetmin qëllim e kanë pushtetin”.

Siç theksoi Arifi, kur individët kyçen në “partitë masovike” nuk diskutojnë as për programet e as për qëllimet dhe kërkesat”, por gjithnjë me mendjen tek pushteti.

Në njëfarë mënyre, ai arsyeton edhe partinë në pushtet, sepse sipas tij, “është jashtëzakonisht e vështirë të akomodohen të gjitha kërkesat e anëtarëve të partisë kur fitohet pushteti”.

Dritero Arifi, analist

“Duhet kuptuar nga një aspekt tjetër që partitë në pushtet e kanë shumë të vështirë që ta mbajnë kohezionin për të gjithë anëtarët e saj sepse nganjëherë partitë në pushtet duhet të marrin vendime shtetërore ndërsa anëtarët e partisë nuk e kuptojnë këtë çështje dhe ata mandej reagojnë në mënyra të ndryshme”, shtoi Arifi për AP.

Ai tha se anëtarët e pakënaqur e kuptojnë me vonesë që interesat dhe kërkesat e tyre nuk përputhen me ato të partisë në pushtet dhe paralajmëroi edhe largime tjera në të ardhmen.

“Sa më gjatë të qëndrojnë një parti në pushtet gjithmonë probabiliteti është që ajo parti të dëmtohet dhe të ketë largime të shumta dhe mospajtime”, përfundoi ai.

Pakënaqësitë e tilla dhe proceset jo demokratike në zgjedhjet brenda partive në Kosovë janë një fenomen i shpeshtë. Vetëvendosje proklamonte se ndryshe nga partitë e tjera, Lëvizja është demokratike, prandaj edhe procesin zgjedhor e ka “një anëtar një votë”.

Por, siç po kuptohet, një votë mund të shkojë vetëm për një kandidat dhe ai kandidat vjen nga lartë, prej ku edhe eliminohen të tjerët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore