Shqipëria

Mungesa e Shqipërisë, premtimet për Zelenskyn dhe dialogu Kosovë-Serbi – Gjithçka u diskutua në darkën joformale të Athinës


Një darkë e formatit joformal, me liderë të rajonit të Ballkanit, me qëllim përbashkimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit, si edhe shtimin e mbështetjes për Ukrainën në luftën kundrejt agresionit rus në territorin e saj – pa harruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjithçka do të diskutohej në Athinë do të lidhej me këto çështje, por që prej nisjes, me një mungesë tejet të madhe…Shqipëria.

Rasti i burgosjes së Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili mbahet nën arrest dhe është në gjykim për shitblerje votash, do të mbesë një hije mes Tiranës dhe Athinës sa duket.

Aq e madhe, sa edhe të ndikojë në raporte të larta diplomatike dhe të mos ketë ftesa të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, prej homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis, në takime të tilla rajonale.

Darka me liderët e rajonit, Begaj refuzon ftesën e kryeministrit grek

Me rregull në fakt, as që duhej menduar se ftesa duhet të shkonte për Ramën, duke parë edhe funksionin që takimi kishte.

Megjithatë, Mitsotakis e ka mbajtur të lartë “inatin”, duke njoftuar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, lidhur me takimin. Ky i fundit, me “diplomaci”, i tregoi palës fqinje se një agjendë e paracaktuar e pengonte të merrte pjesë në organizimin e Athinës.

Kështu, Shqipëria, një prej vendeve më stabël të rajonit dhe mediator i padiskutueshëm i Bashkimit Evropian me vendet fqinje (mbi të gjitha në kuadër të një Procesi Berlini në Tiranë së shpejti), u la jashtë mbledhjes.

Premtimet për Zelenskyn

Do të ishte mikpritësi i Athinës, Kyriakos Mitsotakis, ai i cili do t’ia jepte lajmet më të mira presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si pjesëmarrës në takim.

Ky i fundit, e zbardhi vetë takimin dhe rreshtoi pesë pika ku mori garanci.

E para, është ajo se Greqia iu bashkua koalicionit të aviacionit: ajo do të trajnojë pilotët ukrainas për të fluturuar F-16. Greqia po përgatit gjithashtu një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën.

“Unë propozova mënyra që Greqia të na ndihmojë në sigurimin e korridorit të ri të Ukrainës në Detin e Zi, duke siguruar lirinë e lundrimit dhe eksportet e papenguara të grurit”, vijon pika e dytë e Zelenskyt.

Zelensky zbardh 5 garancitë që mori nga Mitsotakis

Më tej, e treta lidhet me pjesëmarrjen e Greqisë në rimëkëmbjen e Ukrainës, duke përfshirë mundësinë që Greqia të marrë patronazh për rimëkëmbjen e Odesës.

E katërta, pas nënshkrimit nga Greqia të Deklaratës së G7 në mbështetje të Ukrainës, ka të bëjë me rënien dakord për të vijuar me bisedimet dypalëshe për garancitë e sigurisë.

“Ukraina përgatitet të hapë bisedimet e pranimit në BE këtë vit dhe falënderoj Greqinë që na mbështet në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. I jam veçanërisht mirënjohës kryeministrit Mitsotakis për nënshkrimin e sotëm të deklaratës në mbështetje të integrimit euroatlantik të Ukrainës”, përmbyll Zelensky me pikën e pestë.

Gjithashtu, ai ka falënderuar Greqinë për mbledhjen e samitit Ukrainë-Ballkan, një format i gjerë i punës së përbashkët për garantimin e lirisë dhe sigurisë “për të gjithë kombet tona dhe të gjithë Evropën”.

Dialogu Kosovë-Serbi…si gjithmonë

Nuk ka se si të mos jetë pjesë e tryezës së përhershme në takime të tilla ballkanike, një prej çështjeve më të nxehta që prek rajonin: dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, u takua në Athinë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila i ka kërkuar zbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, de-eskalim të situatës në Veri të Kosovës dhe rikthim në dialog.

Kurti takohet me Von der Leyen në Athinë – ajo ia paraqet 3 kërkesa, prapë

De-eskalim i tensioneve në Veri, ri-angazhim në dialogun e ndërmjetësuar në Bruksel dhe zbatim të marrëveshjes për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto janë tre kërkesat e pandryeshuara të BE-së për Kosovën.

Vetë Kurti, e ka përforcuar bisedën e takimit me von der Leyen, shumë më i qetë se sa pak javë më parë, kur tensionet diplomatike mes aleatëve evropianë dhe Prishtinës, ishin të dukshme.

Marrëveshja Bazë dhe implementimi i saj në mënyrë të pakushtëzuar, është e rëndësisë parësore sipas tij.

Njëjtë, von der Leyen e takoi edhe presidentin serb, Vuçiç, nga i cili gjithsesi kërkon thjesht angazhim konstruktiv në de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës dhe më tej të vijohet në progresin e Beogradit drejt BE-së.

Takim mes Kurtit e Vuçiç nuk pati. Përkundrazi, evitim më së shumti në çdo hapësirë të takimeve.

Gjithsesi, ky i fundit mund t’i gëzohet një takimi kokë më kokë që do të ketë me presidentin ukrainas, Zelensky, të martën e 22 gushtit.

Vuçiç-it i mundësohet takim me Zelensky-in në Athinë

Ballkani, me gjithë ndasitë e veta, u bë gjithsesi bashkë në një tryezë e munguese çuditërisht ishte Shqipëria (zakonisht përbashkuese e vendeve).

Mungesë penalizuese, tekefundit? Me gjasë jo!

Pamje nga darka joformale në Athinë, Kurti në cep të tavolinës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore