Shqipëria

“Mungesa e bashkëpunimit”, Rama sqaron deklaratën me shembullin e Shkodrës


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka sqaruar deklaratën e tij se “nëse do të fitojnë kryebashkiakë të djathtë, nuk do bashkëpunojë”.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Report TV”, duke cituar intervistën me kreun e Qeverisë.

Ai mori si shembull Shkodrën, ku tha se vetë bashkia i ka bllokuar disa projekte të rëndësishme.

“Deklarata është politike, në funksion të përshkallëzimit të luftë politike në Tiranë. Që ta kuptojmë, ne kemi prej disa kohësh kompanitë që duhet të fillojnë ujësjellësit në Shkodër, që është më e prapambetura, aty financimi është i qeverisë, projektet janë bërë nga qeveria, kontraktorët janë gati dhe bashkia nuk na jep lejen e ndërtimit”, u shpreh fillimisht Rama.

Ai mori si shembull rrugën Shëngjin-Velipojë, e cila pengohet prej gati një viti për shkak të përgatitjes së dokumentacionit dhe është çliruar Lezha dhe po bllokohet nga Shkodra.

“Rruga Shkodër-Theth kalon nëpërmjet Bogës, Boga është në Malësi të Madhe, Thethi në Shkodër, Boga është e pastër, Thethi është me plehra”, shtoi ai.

Më parë, Rama ka thënë gjatë fushatës se Qeveria e tij nuk do të bashkëpunojë me fituesit e zgjedhjeve nga radhët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, pikërisht për faktin se ai mendon se ata janë futur në garë vetëm për arsye të çështjes pezull që karakterizon PD-në dhe jo për t’i shërbyer qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore