Kosova

Mungesa e ambasadorëve “i kontribuon fushatës serbe për ç’njohje”


Ilustrim

“Mungesa apo vakumi që ekziston në ambasadat e Kosovës do të shfrytëzohet nga pala serbe”.

Kështu është deklaruar ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, për Albanian Post, i cili ishte ndër 12 ambasadorët e shkarkuar me 19 maj të këtij viti nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Sipas tij mungesa e ambasadorëve në shumë vende rrjedhimisht do të thotë mungesë e shtetit të Kosovës në shumë aktivitete që organizohen në shtetet respektive ku ambasadori është i emëruar.

“Në ato vende ku nuk ke ambasador do të thotë që nuk ke as zëdhënës së politikës së jashtme të Kosovës”, ka deklaruar Arifi për Albanian Post.

Arifi, ka treguar edhe për procedurën e emërimit të një ambasadori fuqiplotë, proces i cili sipas tij zgjatë shumë.

“Procesi i dekretimit të ambasadorit nga presidentja deri te dorëzimi i letrës së kredencialit – dokumenti zyrtarë që ambasadori i paraqet presidentit të vendit në të cilën është emëruar- merr një kohë prej 6 deri në 12 javë”, ka shtuar ai.

Prandaj ai e konsideron mos-emërimin e ambasadorëve të rinj nga Ministria e Jashtme të Kosovës si ofenduese për shtetet ku momentalisht ka mungesë të misioneve diplomatike.

“Kur e ke mundësin dhe nuk e dërgon asnjë ambasador është një situatë e pa sqarueshme e pa kuptueshme si dhe ofenduese për shtetet të cilët momentalisht nuk janë emëruar ambasadorët”.

Edhe politologu dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, thekson se mos-emërimi i ambasadorëve të rinj nga ana e MPJD-së do të shërbej në fushatën lobuese të Serbisë, karshi shtetësisë Kosovës, pasi që me 4 shtator të këtij viti përfundon moratoriumi i cili është derivat i Marrëveshjes së Ëashingtonit, me të cilën u ndalua secili aktivitet të fushatës për mospranimin apo heqjen e njohjeve për shtetin e Kosovës

“Mos-emërimi i ambasadorëve do shërbej fushatës lobuese të Serbisë, veçanërisht tek shtetet që e kanë njohur më parë Kosovën, dhe tani mund të kenë ndryshuar qëndrim”, ka thënë Sadiku për Albanian Post.

Sadiku, madje thekson se largimi i paparalajmëruar i Ambasadorëve të Kosovës, në mes  të detyrës, në një periudhë të sfidave për shtetësinë e Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin në ndërtimin e partneritet serioz me shtetet pritëse.

Në anën tjetër, Emir Abrashi, nga organizata jo-qeveritare Demokraci Plus, mendon se mbyllja e Ambasadës së Kosovës në Kanberra e cila e mbulon të gjithë Paqësorin, dhe mungesa e Ambasadorit në Dakar, e cila e mbulon të gjithë Afrikën, ja hap rrugën e Serbisë për fushatën e ç ‘njohjeve për Kosovën në këto dy rajone.

“Nga e kaluara dihet se të gjitha shtetet për të cilat Serbia ka pretenduar se e kanë ç ‘njohur Kosovën, kanë qenë ose nga rajoni i paqësorit ose nga kontinenti Afrikanë”, ka thënë Abrashi për Albanian Post.

Sipas Abrashit, mbyllja de facto e një ambasade është mesazhi më i keq që mund ti përçohet një shteti aq më tepër kur fjala është për një shtet mikë.

Prandaj ai mendon se MPJD-ja duhet të dërgoj Kuvendit sa më shpejtë emrat e Ambasadorëve të rinj të Kosovës, pasi sipas tij periudha e emërimit të një ambasadori fuqiplotë në një mision diplomatik kërkon një proces të gjatë burokratikë.

“Në rastin më të mirë, misionet tona diplomatike do të mbesin pa krerë deri në dhjetor të këtij viti. Në rastin më të keq, ne do të hyjmë në vitin 2022 pa Ambasadorë në shumicën e misioneve tona diplomatike. Këto vonesa padyshim se do të na kushtojnë neve si shtet”, ka thënë Abrashi për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore