Lajme

“Mundësia unike është tani, shpresoj se Kosova e Serbia do ta kapin” – Anzhej Frangesh, i dërguari special i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor


Gjashtë të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor

Aktualisht ekziston një mundësi unike dhe një moment shumë i mirë për t’u bërë progres kapital drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, Anzhej Frangesh, i dërguari special i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor.

“Tani rrethanat janë të favorshme dhe lejojnë që të bëhet progres domethënës në periudhën që po vjen”, ka deklaruar Frangesh, duke elaboruar tutje opinionin e tij.

“Kemi dy liderë të fortë me mbështetje të fuqishme popullore në dy kryeqytetet (Prishtinë dhe Beograd). Në të njëjtën kohë, ka një sens urgjence, pasi agresioni rus në Ukrainë është duke pasur efekt destabilizues në rajon. Si rezultat, duket se BE-ja është e gatshme të marr disa vendime të vështira politike në raport me rajonin. Unë për vete besoj se kjo situatë ofron mundësi unike për të lëvizur përpara më shpejt”, deklaroi diplomati slloven që për shkak të karrierës së tij të gjatë diplomatike në Ballkan, problemin mes Kosovës e Serbisë e di më mirë se pak kush tjetër.

Anzhej Frangesh, i dërguari special i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor

Frangesh që dikur ka punuar si “zyrtar ndërlidhës rajonal për Beogradin dhe Prishtinën” dhe ka qenë i angazhuar në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd, me fokus në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për një kohë edhe në EULEX, ka komentuar edhe angazhimin e dy këshilltarëve të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Për Frangesh, ardhja e Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, është një lëvizje “që i mundëson BE-së të flas me një zë”, prandaj është “ndihmuese dhe e mirëseardhur”.

“Mbështetja e qartë nga anëtarët më të rëndësishëm të BE-së është shenjë e interesimit dhe angazhimit shtesë”.

Prandaj, ai shpreson shumë që “Kosova dhe Serbia do ta shohin këtë mundësi dhe do ta kapin. Dritarja e shansit tashmë është këtu, dhe të gjithë duhet të bëjnë më të mirën që të përfitojnë nga kjo mundësi”.

Diplomati slloven, që para se të bëhej ambasador në Bullgari, ishte i angazhuar edhe si këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit, Janez Jansha, shton se megjithatë, “në lidhje me qasjet e reja, ne duhet të shohim vullnetin, madje dhe guximin, e palëve, për të lëvizur përpara drejt qëllimit final”.

Sa për vetë dialogun, pohon që për Kosovën e Serbinë s’ka alternativë tjetër, veç Brukselit.

“Prandaj, të dyja palët duhet të jenë plotësisht të angazhuara dhe të qëndrojnë të përkushtuara në arritjen e rezultateve”.

Në situatën aktuale në Evropë, Frangesh sqaron se “dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit është i një rëndësie kruciale për stabilitetin rajonal”.

Për tensionet e kohëve të fundit, siç ishte nata e 31 korrikut, kur u alarmua për përplasje eventuale, pasi Kosova provoi të implementojë reciprocitet në targa dhe kartela identiteti, deklaron se janë “punë në terren” që bëhen të pashmangshme për shkak të dinamikave.

“Procesi është qartësisht i influencuar na realitetet politike, qoftë në dy vendet e përfshira, qoftë diku tjetër në Evropë apo botë”, thotë ai për Albanian Post.

“Duket se dy palët dhe ndërmjetësuesit më shpesh po merren me implementimin e çështjeve dhe tensionet në terren, por kjo është e kuptueshme pasi nuk ka platformë tjetër pos dialogut për t’i adresuar këto probleme”.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në fund të fundit, janë në pyetje qytetarët, deklaron Frangesh për Albanian Post.

“Të bërit progres të vazhdueshëm është kruciale pasi njerëzit po ballafaqohen me vështirësi në jetën e tyre të përditshme, dhe kjo duhet të adresohet. Kjo gjithashtu duhet të definojë interesat dhe qëllimet e palëve; liderët politik duhet t’i kuptojnë nevojat e njerëzve dhe t’i adresojnë ato. Prandaj, është me rëndësi që të punohet vazhdimisht për të ulur tensionet dhe parandaluar eskalimet”.

Anzhej Frangesh është vetëm një nga gjashtë të dërguarit special aktualisht për Ballkanin Perëndimor.

Pos tij, është, fillimisht, Miroslav Lajçak i Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Stuart Peach i Britanisë së Madhe, Manuel Sarrazin i Gjermanisë dhe Sofia Gramata e Greqisë.

Këtij arsenali diplomatësh në Ballkan iu shtuan edhe Emmanuel Bonne si këshilltari politik i Macron që tash është me detyrë speciale për dialogun Kosovë – Serbi dhe Jens Plotner, i angazhuar special i Scholz.

Përtej këtyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë vit, emëruan atë që njihet si dekan i diplomatëve, Christopher Hill, ambasador të SHBA-ve në Serbi.

Përqendrim më të madh në rajon, nuk ka pasur qysh nga luftërat e viteve 90-ta që shpërbenë Jugosllavinë – e fundit, lufta çlirimtare e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore